Në rreth dhjetë ditë para zgjedhjeve, partitë politike me premtime të ndryshme para qytetarëve


Premtimet për sundimin e ligjit, korrupsion zero, paga më të larta, investime në kujdesin shëndetësor, infrastrukturë, ekonomi dhe bujqësi, rininë dhe përkrahje në zejtari, u premtuan nga subjektet politike në vend në rreth dhjetë ditë para 15 korrikut kur do të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Partitë shqiptare u përqendruan dje në investimet tek të rinia, arsimi cilësor dhe kujdes shëndetësor falas.

Ndërkaq, LSDM-ja, e cila udhëheq koalicionin “Mundemi” në tubimet e djeshme, u përqendrua në përmbushjen e qëllimeve strategjike – anëtarësimin në NATO dhe fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian, ndërsa paralajmëroi investime në shëndetësi.

Partia më e madhe opozitare, VMRO-DPMNE-ja, nga ana tjetër, premtoi shtet ligjor, tolerancë zero dhe hetim të prejardhjes së të gjitha pasurive të politikanëve.

Kandidati i BDI-së për kryeministrin e parë shqiptar, Naser Ziberi, ka premtuar mbështetje për çifte të reja bashkëshortore deri moshën 35 vjeçare dhe zhvillimin e rrjetit arsimor parashkollor.

“Ne duhet t’i plasojmë idetë tona në drejtim të planeve për mbështetjen e të rinjve, respektivisht mbështetje për çiftet e reja deri në moshën 35 vjeçare, të cilët kërkojnë përkrahje më serioze, saktësisht, për çiftet të cilat akoma nuk e kanë zgjidhur çështjen e banimit, t’ju ofrojmë atyre ndihmë, me kredi pa interes deri në 20.000 euro”, tha Ziberi.

Kreu i Aleancës së Shqiptarëve, Ziadin Sela nga Dibra, tha se programi i tyre bazohej në vuajtjet dhe nevojat e qytetarëve.

“Programi është përpiluar në bazë të halleve dhe nevojave të qytetarëve, të cilat i dëgjojmë drejtpërdrejtë duke i vizituar. Krejt çka kemi shkruar do të realizohet sepse është koha e fundit të fillojë ripërtëritja. Shqiptarët dhe qytetarët e tjerë nuk kanë më shumë por vetëm një jetë dhe të njejtën duan ta jetojnë me dinjitet. Nëse nuk i realizojmë premtimet, na ndëshkoni pas një viti në zgjedhjet lokale”, porositi mes tjerash Sela, i cili premtoi edhe shqyrtim të sërishëm të rasteve të montuara politike dhe sjellje para drejtësisë të të gjithëve të cilët gabuan.

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev para qytetarëve të Koçanit në tribunën në qendrën rekreative Ponikva në Malet e Osogovës, theksoi se për tre vite jo të plota kanë marrë vendime të guximshme, me të cilat u bëmë vend anëtar i NATO-s dhe morëm vendim për fillim të negociatave me BE-në, me çka sot i jetojmë idealet për të cilat folëm në 30 vitet e kaluara,

“Tashmë jemi anëtare e NATO-s, ndërsa kapitujt për negociata me BE-në pres të fillojmë t’i hapim në shtator apo në tetor, ndërsa me atë do t’i hapim edhe fondet evropiane. Kur duhej guxim për të sjellë vendime, i sillnim dhe sot rezultatet janë të dukshme në secilin plan. Të jemi krenarë sepse i përmbushëm qëllimet strategjike, aspiratat dhe amanetin e të parëve tanë, kemi vend i cili është i njohur nga e tërë bota. Flasim gjuhën maqedonase, e cila është e pranuar nga tërë bota”, tha Zaev.

Sipas tij, Njësia e tretë zgjedhore, në të cilën bën pjesë edhe Koçani, është mjaft e rëndësishme dhe këtu pret që koalicioni “Mundemi” të korr, siç tha, fitore bindëse.

Nga ana tjetër, lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickovski u premtoi qytetarëve të Tetovës, Gostivarit dhe Mavrovë-Rostushe një shtet ligjor dhe një tolerancë zero dhe tha se të gjithë politikanët do të përgjigjen pse nuk mund të ketë shtet, nëse nuk dihet se kush është pasuruar në shpinë të qytetarëve.

Sipas tij, duhet të ketë një sistem të fortë ligjor që do të kontrollojë pasurinë e politikanëve. Politikanët, tha ai, duhet të japin një shembull dhe të respektojnë Kushtetutën dhe ligjet.

“Këto zgjedhje janë zgjidhje çfarë Maqedoni duam të shohim për katër vjet që tani, ndërsa do të thoja edhe vitet të cilat vijnë pas këtyre katër viteve. A duam të shohim një Maqedoni, e cila do të jetë e turpëruar, e poshtëruar, e përulur, e grabitur, plot me krim, korrupsion, shumë mossuksese apo një Maqedoni, e cila do të jetë krenare, e drejtë dhe të cilën të gjithë banorët të cilët janë pjesë e saj, do të mund me krenari të thonë, po unë jam nga Maqedonia”, tha Mickoski.

Disa nga partitë më të vogla në takimet e djeshme me qytetarët premtuan shfuqizimin e Ligjit të ri për Prokurorinë Publike, investimet dhe mbështetjen për zanatet….

Partitë vazhdojnë aktivitetet e tyre zgjedhore edhe sot. BDI-ja dhe kandidati i tyre për kryeministër do t’ua prezantojnë programin të rinjve në Çair, ndërsa Aleanca për Shqiptarët dhe Bashkimi Demokratik Qytetar për sot njoftuan konferenca për shtyp. LSDM-ja do të prezantojë programin e saj zgjedhor para qytetarëve të lagjes Gazi Babë të Shkupit dhe banorëve të Tearcës së Tetovës, ndërsa VMRO-DPMNE-ja do të vizitojë komunat e Shkupit Shuto Orizare, Karposh, Sopishte dhe Butel.

Baby Boo