Sipas raportit të Agjencisë Ndërkombëtare për Zhvillim Ontario, në Mianmar janë vrarë mbi 24 mijë muslimanë të Arakanit, transmeton AA.
Agjencia Ndërkombëtare për Zhvillim Ontario me seli në Ontario të Kanadasë ku marrin pjesë hulumtues dhe organizata nga Australia, Bangladeshi, Kanada, Norvegjia dhe Filipinet, publikoi një raport ku tregon se që nga muaji gusht i vitit të kaluar forcat e Mianmarit në persekutimet e bëra ndaj muslimanëve të Arakanit kanë vrarë mbi 24 mijë persona.
Në hulumtim është theksuar se mbi 40 mijë muslimanë të Arakanit janë plagosur me armë, 114 mijë janë sulmuar fizikisht dhe 31 mijë janë hedhur në zjarr.
Në rajon janë djegur 115 mijë shtëpia të muslimanëve Rohingya, ndërsa 113 shtëpi janë dëmtuar gjatë sulmeve.
Mes të vrarëve gjendet edhe një foshnjë katër muajshe e cila është hedhur në zjarr.
Organizata e Mjekëve pa Kufi, vitin e kaluar kishte njoftuar se mes 25 gusht dhe 24 shtator janë vrarë 9 mijë e 400 muslimanë të Arakanit.
Spastrimi etnik ndaj muslimanëve të Arakanit
Sipas OKB-së, që nga 25 gushti i vitit 2017, mbi 700 mijë refugjatë Rohingya, pjesa më e madhe gra dhe fëmijë, mbetën të detyruar të largohen nga Arakani në Bangladesh pasi forcat e Mianmarit nisën persekutimin e komunitetit pakicë musliman. Organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut me imazhet e tyre satelitore kanë provuar se qindra fshatra janë shkatërruar.
Marrëveshja e nënshkruar mes qeverive të Mianmarit dhe Bangladeshit për rikthimin e qytetarëve të Arakanit në shtëpitë e tyre është jofunksionale në zbatim për shkak se të zhvendosurit e kanë të pamundur të dokumentojnë situatën e tyre.
Organizatat ndërkombëtare dhe të OKB-së për të drejtat e njeriut dhunën kundër muslimanëve të Arakanit e konsiderojnë “spastrim etnik” ose “gjenocid”.
Qeveria e Mianmarit e cila kufizon në masë të madhe hyrjen e organizatave dhe mediave ndërkombëtare në rajonin e Arakanit, deri më sot ajo nuk ka zbatuar premtimet që ka dhënë në lidhje me rikthimin e muslimanëve të Arakanit.