Në Maqedoni kritika, në Bullgari festë/ Mickoski: Ky është trup, ndryshojnë historinë nën diktatin e bullgarëve

Rekomandimet të cilat dje pjesa maqedonase e Komisionit të Përbashkët i prezantoi, kurse i publikoi Ministria e Punëve të Jashtme, shkaktuan një sërë reagimesh në opinionin publik. Kritikat, kryesisht ishin për formulimin se “vepra e Shën Kirilit dhe Metodit është ruajtur dhe zhvilluar në qendrat letrare Presllav dhe Ohër, të cilët asokohe ndodheshin në territorin e shtetit mesjetar bullgar”, si dhe për pjesën për Car Samoilin, ku thuhet se “ishte sundimtar i një shteti të madh mesjetar, të cilin, pjesa më e madhe e shkencës bashkëkohore historike e konsideron për Mbretëri bullgare me qendër në territorin e RMV-së së sotme”. Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, dje doli me kritika të ashpra se autoritetet e Maqedonisë pranojnë diktatin e Bullgarisë.

“Unë paralajmërova se në vend që të flasim për shekullin 21, për shekullin 22, për të ardhmen, ne do të flasim për mesjetën, siç e patë, flitet për Car Samoilin, flitet për Klimentin, flitet për Naumin, për Kirilin dhe Metodin dhe thuhen të pavërteta. Praktikisht, tani ne duhet t’i ndryshojmë, pra t’i censurojmë tekstet shkollore të fëmijëve që do të mësojnë në shkolla nën diktatin, nën presionin e Bullgarisë. Ky turp dhe ky diktim do të vazhdojë, kështu që tema është politike dhe unë për këtë paralajmëroja në vazhdimësi. Por, është evidente se fundi po afrohet. Për ketë do të ketë përgjegjësi.”- deklaroi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

As Lidhja Demokratike e Pavle Trajanovit, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës, nuk i mbështet këto rekomandime. Nga kjo parti, paralajmërojnë se në rekomandimet në fjalë ka gabime me përmasa historike. Duke kontestuar arsimtarët dhe revolucionarët maqedonas, mohohet identiteti maqedonas, rrënjat e tij dhe ardhmëria, thuhet në reagimin e Lidhjes Demokratike.

“Formulimet për nderimin e përbashkët të Shën Kirilit dhe Metodit, Shën Klimentit, Shën Naumit dhe Car Samoilit dhe rekomandimet për ndryshimin e teksteve shkollore, ndryshojnë drejtpërdrejt narrativin historik në favor të kauzës kombëtare dhe etnike bullgare në Maqedoni. Lidhja Demokratike vlerëson se është e papranueshme që përmes komisioneve dhe vendimeve administrative të ndryshohet e kaluara, me qëllim që të relativizohen faktet historike dhe të mohohet identiteti maqedonas.”- thanë nga Lidhja Demokratike.

Në rekomandimet e Komisionit të Përbashkët Historik, nuk ka asgjë të kontestueshme dhe nuk fshihet asgjë. Me këto rekomandime hidhen poshtë të gjitha pohimet e VMRO-DPMNE-së se do të ketë histori sipas modelit bullgar, thonë nga LSDM-ja.

“Rekomandimet janë miratuar nga një komision profesional dhe i pavarur, pa asnjë ndikim politik dhe ato fare nuk i prekin çështjet identitare. Në këtë mënyrë mbyllet edhe një çështje tjetër e hapur dhe mbrohet plotësisht identiteti maqedonas dhe veçoria maqedonase. Njëkohësisht, u tregua se gënjeshtrat e VMRO-DPMNE-së ndaj qytetarëve për kinse asimilim dhe bullgarizim janë me të vetmin qëllim – të prishet procesi i zgjidhjes së çështjeve të hapura.”- pohoi Daniella Nikollova, LSDM.

Me reagim doli edhe Ministria e Jashtme, prej ku përkrahin punën e Komisionit të Përbashkët.
“Puna e Komisionit, përmbajtja mbi të cilën punon, është plotësisht autonome, eksperte dhe profesionale, e mbrojtur nga çdolloj ndikimi politik. Ky parakusht përmbahet në parimet e Protokollit të nënshkruar mes dy Ministrive të Punëve të Jashtme dhe paraqet një nga parimet kyçe që siguron profesionalizëm dhe ekspertizë autentike gjatë punës së Komisionit.”- thanë nga Ministria e Punëve të Jashtme.

E derisa në Maqedoni rekomandimet kryesisht hasin në kritika, në Bullgari po festohet. MPJ-ja bullgare falënderon komisionin për marrëveshjen e arritur.
“Ministria e Punëve të Jashtme falënderon Komisionin e Përbashkët për Çështje Historike dhe Arsimore për aktivitetin e deritanishëm dhe e inkurajon të vazhdojë me përpjekjet në mënyrë më intensive për të përfunduar punën për të gjitha periudhat e historisë së përgjithshme, sipas Nenit 8 Paragrafit 2 të Marrëveshjes për Miqësi, Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim.”- Ministria e Jashtme e Bullgarisë.

Edhe platforma bullgare “Rrethi kombëtar për Maqedoni”, e përbërë nga historianë dhe gjuhëtarë të atjeshëm, shpalli fitore dhe lavdëroi Komisionin për atë që është rënë dakord.

“Fitore për shkencën historike bullgare! Kolegët në Shkup zyrtarisht e njohën atë që është e dukshme, Car Samoili është mbret bullgar, nxënësit e Kirilit dhe Metodit me ftesë të princit Boris – Mihail e përhapin fjalën e tyre në të gjithë mbretërinë bullgare, Presllavi dhe Ohri janë qendra letrare bullgare. E gjithë kjo duhet të shkruhet në tekstet shkollore të fëmijëve në RMV.”- thanë nga Rrethi Kombëtar për Maqedoni.

Bashkëkryetari i Komisionit të përzier nga pala maqedonase, Dragan Gjorgjiev, dje informoi se Maqedonia dhe Bullgaria do të nderojnë bashkërisht Shën Kirilin dhe Metodin, Shën Klimentin dhe Naumin, si dhe Car Samoilin. Njëkohësisht, rekomandimet parashikojnë edhe nga 5 ndryshime në tekstet shkollore, gjegjësisht në librat tanë për klasën e 6-të, kurse në Bullgari për klasën e 5-të.