Në lokalet e gastronomisë në Maqedoninë e Veriut, as për byrek


Rritja e çmimeve të produkteve ushqimore në Maqedoninë e Veriut ka rritur dhe çmimin e menysë, duke lënë kështu më shumë tavolina të zbrazëta në objektet e gastronomisë dhe hotelerisë.
Hajrulla Hasani, që menaxhon një kompleks hotelerie në “Kodrën e Diellit”, thotë se gjatë muajit të Ramazanit zakonisht darkat ishin të rezervuara shumë më herët, tani rritja e çmimeve të produkteve ushqimore ka bërë që lokali të jetë gjysmë i zbrazur ose të punojë me humbje.

“Rritja e çmimit të derivateve të naftës dhe energjisë elektrike ka ndikuar në rritjen e shërbimeve tona. Me këtë ka shënuar ulje dhe mundësia e klientëve për të frekuentuar lokalet tona në masën që të mund të mirëmbajmë bizneset tona”, thotë Hajrulla Hasani. Nga ana tjetër, qytetarët ankohen se janë bërë të papërballueshme çmimet në objektet e gastronomisë.

“Jo se më herët shkonim shumë në restorante, por tani çmimet kanë shkuar aq lart sa duhet të mendosh dy herë nëse do të dalësh me familje jashtë ose nëse vendos [të dalësh], kërkon që të shkosh diku ku çmimet janë më të përballueshme”, thotë Agim Saliu. Edhe Vera Malinovska thotë se as për byrek nuk del në lokalet gastronomike.

“Një byrek ishte 40 denarë, tani 60 denarë,(1 euro) nëse marr dhe për dy nipërit plus kosi, më shkojnë më shumë se 300 denarë (5 euro) edhe për këtë kënaqësi duhet të mendoj dy herë për ta shijuar një herë brenda javës”, thotë ajo.

Nga sektori i gastronomisë thonë se edhe rritja e çmimit të karburanteve ka bërë që të shënojë ulje turizmi vendor për fundjavë. Ndërkohë, nga Asociacioni i Hotelierëve thonë se rritja e çmimeve të produkteve ushqimore për çdo ditë, nuk lë hapësirë për llogaritjen e kostos së organizimeve për këtë vit.

“Për çdo ditë rriten çmimet e derivateve të naftës, edhe çmimet e artikujve ushqimorë rriten për çdo ditë. Gjithçka shënoi rritje, e edhe pagat e punonjësve në hotelieri, duam apo jo, pësojnë rritje. Dhe, në një situatë të këtillë vështirë e kemi të japim oferta për koston e pushimeve para kohe për aranzhimet gjatë muajit qershor, korrik apo gusht,sepse çdo gjë po ndryshon shumë shpejt”.

“Kjo situatë është si rezultat i krizës së luftës në Ukrainë, sepse gjatë pandemisë kishim një rritje shumë të butë të çmimeve, kurse tani asgjë nuk mund të parashikohet”, thotë Krste Bllazhevski, kryetar i Asociacionit të Hotelierëve në Maqedoninë e Veriut.

Numri i turistëve nga Ukraina dhe Rusia në qendrat turistike të Maqedonisë së Veriut ishte rreth 500 turistë brenda vitit. Nga sektori i turizmit thonë se kjo derë e hapur ishte shumë e rëndësishme për hapjen e një tregu me potencial shpresëdhënës për turizmin e Maqedonisë së Veriut, veçanërisht Ohrin si destinacion i preferuar për këta turistë.

“Më 2022 duket qartë se nuk do të kemi turistë nga këto dy vende (Ukraina dhe Rusia) vende këto që edhe pse s’kishin numër të madh të turistëve, ato paraqisnin potencial serioz për sektorin e turizmit tonë”, thotë Lubço Janevski, drejtor i Agjencisë për promovimin dhe mbështetjen e turizmit.
Por, nga sektori i turizmit druajnë se kriza e rritjes enorme të çmimeve do të paraqesë goditje shumë më të madhe se pandemia, duke e bërë shumë të vështirë mbushjen e kapaciteteve turistike në Maqedoninë e Veriut.

“Pra, nga pesë fluturime që kishim nga Holanda brenda javës, gjatë verës, tani do të kemi vetëm katër, me tendencë të bjerë numri në tri. Kjo situatë do të reflektohet dhe në ardhjen turistëve nga vendet e tjera. Për shembull edhe mysafirët që kishim nga Polonia duket se po humbin interesimin, pasi njerëzit nuk ndihen komod në njërën anë të paguajnë për rezervimin e disa ditëve për të pushuar, ndërkohë që janë në pritje se çka do të ndodhë me luftën në Ukrainë”, thotë Bllazhevski.

Gjatë krizës së pandemisë sektori i hotelerisë dhe gastronomisë ishte sektori që më së shumti pësoi dëme.
Për të zbutur humbjet e hotelierëve dhe gastronomëve Qeveria ndau subvencione për pagat e punonjësve në këtë sektor. Por, hotelierët ankohen se nuk kanë qenë të informuar drejt se këto mjete nuk janë të pakthyeshme pasi u ka dalë dy herë punë ngase janë detyruar t’i kthejnë në fund të vitit.

“Kemi frikë nga ndihmat e qeverisë pasi na u dhanë do mjete për subvencionimin e pagave kur objektet tona ishin të mbyllura për shkak të pandemisë, u detyruam t’i kthejmë pasi më vonë kuptuam se kjo ndihmë ka qenë në formë kredie e jo grant”, thotë Hajrulla Hasani.
Edhe Krste Bllazhevski thotë se sektori i biznesit duhet ndihmuar që të qëndrojë në këmbë të sigurta dhe jo sa për sy e faqe t’i jepet ndihmë të cilën duhet ta kthejë.

“Ndihma që morëm, na u kërkua ta kthejmë prapa në arkën e shtetit, kështu që ne nuk e llogarisim si ndihmë. Nëse duam të mëkëmbim biznesin ai duhet të subvencionohet në aspektin zhvillimor, por meqë ne jemi shtet social ndihma është e destinuar në paga për të ruajtur qetësinë sociale”, thekson Bllazhevski.

Ndryshe, Qeveria e Maqedonisë së Veriut gjatë dy viteve të pandemisë ka ndarë kuponë për qytetarët me të ardhura më të ulëta në vlerë prej 100 eurosh, si masë për t’i amortizuar humbjet që ka shënuar sektori i hotelerisë dhe ai i gastronomisë. Gjatë këtij viti nuk do të aplikohet kjo masë. Qeveria ka refuzuar kështu kërkesat e hotelierëve dhe sektorit të gastronomisë./REL/

Baby Boo