Në Kosovë edhe 1650 persona të zhdukur!


Nysrete Kumnova, kryetare e shoqatës “Thirrjet e Nënave”, tash e 19 vjet nuk di asgjë për fatin e djalit të saj, i cili është i zhdukur në luftën e fundit në Kosovë. Ky është njëri nga 1650 rastet e personave që ende figurojnë të zhdukur në Kosovë. Megjithatë, në Ditën Botërore për Personat e Pagjetur familjarët e tyre në Kosovë thonë se nuk do të ndalen së kërkuari më të dashurit e tyre, percjell Fakte.

“Asnjë informacion nuk kam marrë për djalin tim. Rasti i djalit tim po më duket se është një rast i veçantë. Ndoshta që unë po kërkoj, jam më e zëshme dhe e di që të gjithë nga ai grup, përveç djalit tim, janë kthyer qe disa vjet përpara, vetëm djali im nga ai grup mbahet peng. Unë nuk e kam mendjen të dorëzohem. Deri në frymën e fundit do ta kërkoj djalin tim dhe personat e tjerë që po na mungojnë”, ka thënë Nysrete Kumnova.

Ajo ka thënë se gjetja e të zhdukurve varet nga informacionet që shteti serb jep për Kosovë, pasi që sipas saj kosovarët nuk kanë fuqi për t’i gjetur ata. Sikur Kumnovës për fëmijët e tyre, bashkëshortët, motrat, vëllezërit e familjarët e tjerë në Kosovë nuk kanë informata as qindra familje, të cilat vazhdimisht që nga paslufta kanë kërkuar që së paku t’i gjejnë eshtrat e të afërmve të tyre./Zeri