Në kërkim për vrasje, gjendet i groposur Kejsi Hysa në Nikël të Fushë-Krujës


Gjendet i vdekur Kejsi Hysa, i zhdukur prej 9 ditësh. Report Tv mëson se Hysa është gjetur i groposur pranë varrezave të fshatit Nikël të Fushë-Krujës, pikërisht aty ku banonte. Kejsi Hysa, njihej ndryshe edhe me emrat Eljon Hysa dhe Sahit Hysa.
Pak ditë më parë familja e 34-vjeçarit denoncoi zhdukjen e tij dhe hodhi dyshime se i riu mund të jetë vrarë. Eljon Hysa, i dënuar me burgim të përjetshëm për një vrasje në Sarandë në 2015-në, i fshihej policisë.

Ai prej kohësh qëndronte në banesën e tij në fshatin Nikël, për të mos u arrestuar. Por në datën 5 korrik ka dalë nga banesa dhe më pas nuk është rikthyer më.
Dyshohet se Kejsi Hysa mund të jetë rrëmbyer, është vrarë dhe më pas është groposur pranë varrezave të fshatit Nikël, në mënyrë që trupi i tij të mos zbulohej. Por një sinjalizim i banorëve të këtij fshati, ka bërë që Policia e Laçit të zbulojë trupin e 34-vjeçarit, për të cilin familja Hysa kishte bërë denoncim.

Të dhënat e deritanishme për këtë vrasje, e çojnë Policinë në Sarandë, pikërisht për ngjarjen e 10 korrikut të 2015-së.

3 vite më parë Kejsi Hysa ka vrarë Edmond Theodhorin. Së bashku me Enkeled Hysa, Ajman Zyba nga Laci dhe Ylli Reçi, Kejsi Hysa ka rrahur dhe më pas ka qëlluar me pistoletë biznesmenin, pas një konflikti që ky i fundit kishte me dy persona të tjerë.
Sapo e kanë parë, kanë rrethuar mjetin dhe I kane thyer xhamat me shkop bejsbolli dhe me qytën e pistoletës, ku pas Kejsi Hysa i është afruar dhe ka qëlluar një herë me armë zjarri në drejtim të 32-vjeçarit Edmond Theodhori, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Për këtë ngjarje Policia arrestoi në atë kohë Enkelejd Hysën, Ylli Reçin dhe Ajman Zybën, por 34-vjeçari Kejsi Hysa nuk u gjet.

Pista kryesore e hetimeve është hakmarrja për shkak të kësaj ngjarje, ku Policia pritet të marrë në pyetje familjarët e Edmond Theodhorit nga Saranda. Gjithashtu po hetohet edhe ndonjë konflikt i mundëshëm që 34-vjeçari mund të ketë pasur me persona të tjerë në Nikël të fushë-Krujës.

Baby Boo