Në ditën e votimit me maska dhe doreza! Të mos ketë aktivitete në shtabe, por në ambiente të hapura


Mbajtje e obligueshme e maskave, mbajtje e distancës, dezinfektimi i shpeshtë dhe ajrosja e hapësirave janë disa nga rregullat që duhet respektuar gjatë procesit të votimit.

Kjo është një pjesë e rekomandimeve që Komisioni për sëmundje infektive i ka përgatitur me kërkesë të presidentit Stevo Pendarovski, për mbajtjen e zgjedhjeve.

“Ky protokoll përmban edhe fushatën edhe ditën e zgjedhjeve, të sqarojmë edhe një herë nuk është protokoll, këto janë rekomandime të dorëzuara nga KSI dhe sot patëm takim në Qeveri, ku na thanë se ato rekomandime janë definitive. Në bazë të atyre rekomandimeve ne si komision zgjedhor duhet të sjellim aktet tona nënligjore, të cilat do t’i marrim ndoshta edhe nga rekomandimet e përgjithshme që ka sjellë qeveria dhe do të formojmë rregullat e punës në ditën e zgjedhjeve si të KSHZ-ve ashtu edhe të qytetarëve, votuesve dhe këshillave zgjedhor,” tha Ditmire Shehu, nënkryetare e KSHZ-së.

Ndryshe kryetari i KSHZ-së Oliver Derkovski ditë më parë tha se kërkojnë protokoll për zgjedhje dhe jo rekomandime, por Shehu tha se në takimin e sotëm që kanë mbajtur në Qeveri janë marr vesh që të punojnë sipas rekomandimeve që ua ka dorëzuar komisioni për sëmundje ngjitëse.

“Protokolli për ditën e zgjedhjeve parashikon që anëtarët dhe vëzhguesit e këshillave zgjedhorë të mbajnë maska dhe doreza mbrojtëse, dritaret të hapen ose të ajroset çdo orë dhe duart të dezinfektohen. Votuesit duhet të presin në distancë prej dy metrash për të dezinfektuar duart kur hyjnë në vendvotim, të mbajnë pajisje mbrojtëse, kur ta japin letërnjoftimin e tyre shkurt ta heqin maskën për identifikim dhe pas votimit sërish të dezinfektohen. Në ambiente të mos ketë më shumë votues sesa numri i kutive për votim. Komisioni gjithashtu rekomandoi, nëse është e mundur që të zgjatet koha e votimit për dy orë,” u tha nga Komisioni për Sëmundje Infektive.

Protokolli gjithashtu përcakton se të gjitha aktivitetet në fushatë dhe para saj të kryhen kryesisht duke respektuar distancën fizike prej 1.5 deri në 2 metra, larjen dhe dezinfektimin e duarve, bartjen e maskës mbrojtëse gjatë të gjitha aktiviteteve partiake në ambiente të mbyllura, por edhe të hapura kur nuk mund të mbahet distanca.

Gjatë zhvillimit të fushatës derë më derë, patjetër të mbahen pajisjet mbrojtëse, distanca nga bashkëbiseduesit duhet të ruhet, të mos hyhet nëpër shtëpi, por vetëm në derë ose në oborre.

Aktivitetet e partisë në vend që në shtabe duhet të kryhen në ambiente të hapura dhe nëse është e domosdoshme të mbahen brenda, duhet të respektohen të gjitha masat, të mos zgjasin më shumë se dy orë dhe më pas të ajroset dhe të bëhet dezinfektimi ditor.

Baby Boo