Në banane gjendet substancë e bardhë! Antidroga ka kryer kontrolle në disa lokacione të Tetovës


Bleu banane por brenda tyre gjeti substanca të bardhë që dyshohet të jetë lëndë narkotike. Videoja që po shihni është realizuar në ambient shtëpiak. Gruaja që shihet në video rastin e ka denoncuar në polici, duke e dërguar edhe videon e njëjtë.

Se ku janë blerë bananet nuk është bërë e ditur. Njësia kundër lëndëve narkotike ka kryer kontrolle në disa lokacione në qytetin e Tetovës.

Televizioni 21 ka kontaktuar shitësit e pemëve ku janë kryer kontrollet por të njëjtit nuk duan të prononcohen para kamerave pasi siç thonë, nga kontrollet e kryera nga Inspektorati i Antidrogës kanë humbur shumë klientë.

Për këtë çështje kemi pyetur edhe në Ministrinë për Punë të Brendshme. Nga atje thonë se kanë bërë analizat e nevojshme dhe kanë konstatuar se në banane ka pasur Vitaminë C dhe jo lëndë narkotike.

“Pas marrjes së raportimit për pilula të dyshimta të gjetura të fshehura në banane, inspektorët nga Departamenti i Trafikimit të Lëndëve Narkotike kanë vepruar sipas raportimit të Prokurorisë së Tetovës dhe është lëshuar një urdhër për ekspertizë nga Tetova. Pas ekzaminimit të përmbajtjes në banane, është përcaktuar se bëhet fjalë për tableta me vitaminë C dhe se nuk janë substanca të papranueshme. Ministria e Punëve të Brendshme vazhdon të hetojë arsyet e kësaj ngjarje,” u tha nga Ministria e Punëve të Brendshme.

E nga Agjencia për ushqim dhe veterinari thonë se deri më tani gjatë kontrollove të kryera nuk kanë hasur banane të pa sigurta që shiten në tregun e Maqedonisë së Veriut. Të njëjtit u bëjnë apel qytetarëve që të mos u besojnë videove që qarkullojnë në rrjetet sociale.

“Deri më tani nuk ka njoftim se banane të pasigurta shiten në tregun e Maqedonisë. Si institucion përgjegjës për kualitetin e ushqimit apelojmë deri tek qytetarët që të mos u besojnë videove që çdo ditë publikohen në rrjetet sociale sa i përket ushqimit. Ndërsa nëse vetë hasin në ushqim të tillë të lajmërojnë në organet kompetente,” u tha nga Agjencia për ushqim.

Sipas disa informacioneve anonime, ka dyshime se videoja në fjalë është bërë për të mposhtur konkurrencën në tregun e shitjeve të frutave, gjegjësisht bananeve, e për rasti është duke u hetuar në disa pista.

Baby Boo