Ndahet nga jeta veprimtari i palodhshëm i diasporës, i biri përlot me dedikimin e tij


Dje është përcjellë për në banesën e fundit një veprimtar i palodhshëm nga diaspora, Ismail Beqiri, babai ish-futbollistit të Shkëndijës dhe tani i FC STRUGA TRIM LUM, Berat Beqiri dhe ish-futbollistit dhe tani biznesmenit, Ilir Beqiri.

Me prejardhje nga Kopçindolli i Komunës së Zhelinës, i shpërngulur në fshatin Trebosh, punonte dhe jetonte në Danimarkë.
Pjesëmarrës në të gjitha demonstratat, protestat dhe veprimtaritë e tjera për çështjen e shqiptarëve të Maqedonisë dhe Kosovës.
Asnjëherë nuk aderoi në grupet majtiste të diasporës, por vepronte si anëtar `Besëlidhjes Shqiptare`

I apasionuar pas udhëtimeve, ka vizituar një pjesë të madhe të shteteve anekënd botës, madje edhe Iranin, Jordaninë, Egjiptin, Marokun, Izraelin, Kubën, Brazilin, Tajlandën…
Ishte një atdhetar i madh dhe perfeksionist. Donte që shqiptarët të shfaqin vetëm virtytet më të mira të trashëguara ndër shekuj.
I përkushtuar për familjen dhe fëmijët e tij për t`u mundësuar një karrierë sa më të shkëlqyer.

I dhënë pas futbollit, nuk ka lënë stadium të Evropës pa e shkelur.Urojmë që I biri I tij futbollist, Berat Beqiri, të ketë karrierë të shkëlqyer në futboll dhe kështu të plotësojë amanitin e babait.
Ai erdhi në vendlindje, si çdo verë, dhe papritmas u prek nga virusi vdekjeprurës. Kur pritej që të dalë nga spitali i Shkupit, ku u hospitalizua, erdhi lajmi i zi se ka ndërruar jetë.

Ai ka qenë edhe një bashkëpunëtor i Tetova News, duke na dërguar video dhe informacione gjatë udhëtimeve të tij. Ngushëllime të thella familjes dhe djemve të tij: DHIMBJEN TA KTHEJMË NË FORCË.
Jeta e tij intensive dhe e mbushur me shumë gjallëri nuk përshkruhet dot as me një libër shumëfaqësh./TetovaNews
Në vazhdim keni një dedikim nga i biri i tij, Ilir Beqiri:

Babi i dashur,
Unë e shkruaj këtë me një zemër të rëndë.
Por unë po e shkruaj këtë sepse ju e meritoni. Ti meriton të nderohesh sepse ke qenë vërtet babai më i mirë për vëllain tim dhe për mua, dhe po ashtu njeriu më i mirë per të gjithë.

Ju keni arritur të na jepni gjithçka duke punuar shumë.
Ju keni besuar në ne dhe na udhëzuat në mënyrën më të mirë të mundshme.
Ju keni qenë gjithmonë pranë nesh dhe do të jetë e vështirë pa ty dhe mbështetjen tuaj të pafund.

Por ju na keni rritur të mos heqim dorë dhe ne do të bëjmë çmos që të jemi njerëzit e mirë që na ke mësuar të jemi.
Shpresoj që një ditë të bëhem baba aq i mirë sa ju keni qenë për ne.
Ti nuk ke qenë vetëm babai im, por shoku im më i mirë.
Mbështetja ime më e madhe.
Nuk do të harrojm kurrë për personalitetin tuaj të fortë, humorin dhe dashurinë tuaj per ne.
Ti gjithmonë do të jesh ne zëmrat tona babi.

Baby Boo