Natën dhe me dhunë po dëbohen emigrantët


Politika e mbylljes së kufijve për refugjatët, të cilët në Maqedoni kryesisht futen nga Greqia, ka nxitur emigracionin ilegal në vend. Ky konstatim është theksuar në raportin vjetor të Avokatit të Popullit, i cili thekson se kjo qasje e institucioneve shtetërore drejtpërdrejtë i cenon të drejtat e refugjatëve të garantuar me Konventat ndërkombëtare.

Qëndrimi diskriminues ndaj kësaj kategorie, siç thuhet në raportin e Ombudsmanit, e ka përkeqësuar situatën e rëndën me emigrantët, të cilët kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare. Njëri prej problemeve kyçe, i cili vite me radhë nuk është zgjidhur e që lidhet ngushtë me interesat e emigrantëve, sipas Avokatit të Popullit, është mbajtja e jashtëligjshme e këtyre personave në Qendrën për të huaj.

“Fatkeqësisht, edhe në 2017 ka vazhduar praktika e mbajtjes së jashtëligjshme të emigrantëve në Qendrën për të huaj. Në vend se kjo mbajtje të realizohet me vendim të organeve përkatëse, në këtë rast Gjykatave, qëndrimi i jashtëligjshëm për vërtetim e identitetit vazhdon të bëhet me vendim të Ministrisë për Punë të Brendshme”, thuhet në raportin e Avokatit të Popullit.

Vërejtja kryesore e Mekanizmit Nacional për Parandalim(MNP), organ ky i cili në kuadër të zyrës së Ombudsmanit merret me mbrojtjen e lirive dhe të drejtat e njeriut, kur jemi të çështja e emigracionit ilegal, është se në Qendrën për të huaj nuk ekzistojnë të dhëna për arsyen dhe kohëzgjatjen e mbajtjes së refugjatëve.

Mungesa e përkthyesit adekuat po ashtu është një prej vërejtjeve të Avokatit të Popullit, me çka emigrantët nuk kanë mundësi në kohë t’i ankimojnë vendimet për mbajtjen e tyre, pasi nuk e kuptojnë gjuhën angleze dhe aq më pak atë maqedonase. Ekipet e MNP-së gjatë vizitave në Qendrat e pranit të emigrantëve në “Tabanoc” të Kumanovës dhe në “Vinojug” të Gjevgjelisë, kanë konstatuar se numri i emigrantëve dukshëm është zvogëluar.

Mirëpo, trendi i hyrjes ilegale të emigrantëve nga fqinji jugor, fatkeqësisht ka vazhduar edhe gjatë këtij viti. Përkundër faktit se organet e rendit thonë se dy skajet e kufijve mes Greqinë dhe Serbinë, janë nën vëzhgimin e tyre, grupe të ndryshme emigrantësh ilegal, gjatë muajve të fundit kanë hyrë në territorin e Maqedonisë.

Konstatimi i Ombudsmanit se mbyllja e kufijve e nxitë emigrimin ilegal, e vërteton faktin se gjatë muajve shkurt-mars të këtij viti, MPB-ja ka arritur të arrestojë disa trafikues të emigrantëve dhe njëkohësisht të arrestojë refugjatë nga Libia, Afganistani e Afrika, të cilët ilegalisht janë futur në Maqedoni. Kësisoj, në dy aksione në fillim të muajit mars, organet e rendit në Kumanovë dhe Gjevgjeli arritën të arrestojnë disa trafikantë emigrantësh, mes të cilëve edhe shtetas bullgarë. Katër shtetasit bullgarë, siç njoftoi MPB, e kishin përshtatur kombin e tyre për trafikim të emigrantëve dhe në këtë mënyrë, kishin tentuar nga Greqia në Maqedoni ilegalisht t’i fusin tetë emigrantë nga Shri Lanka dhe Afganistani.

Ndërkohë, disa ditë më herët, dy shtetas të Maqedonisë në rrethinë Kumanovës, kishin tentuar t’i dy shtetas të Libisë t’i transferojnë deri në fshatin Llojan, nga ku më pas të njëjtit do të niseshin drejtë Serbisë. Në mesin e shumë vërejtjeve të cilat Ombudmani ua ka adresuar institucioneve shtetërore për trajtimin e emigrantëve në vend, përfshihet edhe dëbimi grupor i refugjatëve drejtë Greqisë. Aksionet për dëbimin e tyre siç përmendet në Raportin e Avokatit të Popullit, organet e rendit i kanë realizuar me shfrytëzimin e dhunës dhe të gjitha këto veprime janë ndërmarrë në orët e vona të natës.

Shkelja e dinjitetit dhe integritetit njerëzor, sipas Ombudsmanit, nuk duhet të përsëritet më dhe dëbimi apo transportimi i emigrantëve nga Maqedonia drejtë një pikë të caktuar kufitare duhet të bëhet në përputhje me procedurat dhe normat ligjore. Arsyetimi i MPB-së se kjo praktikë e dëbimit përdoret edhe nga shtetet fqinje, për Avokatin e Popullit është e papranueshme dhe aspak serioze. /koha.mk/

Baby Boo