Muzeu i Bankës së Shqipërisë përmban koleksione me vlera të rralla


Në mesin e shumë muzeve që ka Tirana është edhe Muzeu i Bankës së Shqipërisë që është inauguruar më 30 tetor 2015 dhe ndodhet brenda ndërtesës së bankës qendrore në kryeqytetin e Shqipërisë, duke koleksionuar monedha dhe kartëmonedha të qarkulluara në territoret shqiptare.

Ky muze përmban disa koleksione me vlera të rralla, por edhe dokumente apo dhe artefakte që lidhen me etapat e ndryshme historike para krijimit të shtetit shqiptar, pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912 dhe për të vazhduar deri në ditët e sotme. Banka Kombëtare e Shqipërisë u themelua më 2 shtator 1925 me emërtimin Banka Kombëtare e Shqipnis dhe në shkurt të vitit 1926 emetoi monedhën e parë kombëtare shqiptare me emërtimin “frangu ar”, me nënfishat e tij “lekë”.

Muzeu i Bankës së Shqipërisë përmban në koleksionet e tij thesare, monedha dhe kartëmonedha, çeqe, letra me vlerë, medaljone, stoli personale me monedha, lingota ari, monedha përkujtimore të emetuara nga banka qendrore për të përkujtuar ngjarje dhe personazhe të historisë, si dhe objekte etnografike që janë edhe pjesë të trashëgimisë kulturore shqiptare.

“Është edhe një muze i edukimit financiar”
Besa Prela, përgjegjëse e Sektorit të Muzeut dhe Botimeve në Bankën e Shqipërisë, për Anadolu Agency (AA) shprehet se ky muze nuk është një muze vetëm numizmatik, por sipas saj është edhe një muze i edukimit financiar, ku shpjegohet se çfarë është një bankë qendrore, si të menaxhohen financat dhe si funksionon politika monetare.

“Muzeu i Bankës së Shqipërisë është krijuar për të ekspozuar të gjithë këtë trashëgimi kulturore që Banka e Shqipërisë mbante në thesaret e saj, siç janë monedhat dhe kartëmonedhat e qarkulluara në Shqipëri, në territoret e Shqipërisë së sotme, por edhe në trevat tona historike, pra për të treguar rrugëtimin e monedhës në etapat e historisë së kombit tonë”, tregon ajo.

Prela shprehet se kryesisht koleksioni është i ndarë në ekspozitën e përhershme kronologjikisht dhe më pas koleksioni që i përket periudhës së shtetit shqiptar. Pjesë e muzeut është edhe koleksioni i monedhave osmane
Ndërkohë, pjesë e Muzeut të Bankës së Shqipërisë është edhe koleksioni i monedhave osmane. Koleksioni osman përbëhet nga monedha që u përkasin shekujve nga 15 deri në fillim të shekullit 20 dhe përmban pothuajse monedhat kryesore të përdoruara gjatë Shtetit Osman.

Pjesë e këtij koleksioni janë monedha duke përfshirë që nga Akçe, që ishte monedha standarde osmane, dhe më pas grosh, zolota dhe lira e artë. Sipas drejtuesve të muzeut, interesi i vizitorëve dhe studiuesve është gjithmonë i lartë, pavarësisht se është një muze brenda një institucioni.

Baby Boo