Mustafa pas takimit me Kasamin: Vazhdoj të jem në ASH, reagojnë nga Lëvizja Besa


Kryetari i nëndegës së ASH-së në fshatin Lisec, Lirim Mustafa përgënjeshtron lajmin se ka kaluar në Lëvizjen Besa edhe përkundër takimit që dje pati me kreun e Besës, Billall Kasamin.

Takimi u bë me ndërmjetësimin e ish kryetarit të ASH-së për degën e Tetovës, Altrim Mahmuti i cili edhe e publikoi fotografinë nga takimi me mbishkrimin “Vazhdojmë” duke aluduar në aderimet që zakonisht ndodhin para zgjedhjeve.

“Unë Lirim Mustafa Kryetar i Nëndegës së ASH Fshati Lisec, demantoj lajmet e publikuara se kam kaluar në koalicionin BESA-LSDM. Njoftoj opinionin se fotografia e publikuar ësht keqpërdorur pa vullnetin tim. Unë vazhdoj të jem Kryetar i Nendegës së ASH fsh. Lisec së bashku me të gjithë anëtarët e nëndegës. Ju bëj thirje të gjithë shqiptarëve ta mbështesin koalicionin shqiptar si e vetmja shpresë për ta sjellur ndryshimin” ka thënë Lirim Mustafa.

Ndërkaq nga Lëvizja Besa thonë se Lirim Mustafa në videon e publikuar duket i frikësuar dhe flet në gjendje stresuese, duke aluduar në mundësinë e kërcënimeve për të ndryshuar qëndrim.

Zëdhënësi i Lëvizjes Besa, Elmedin Memishi thotë që deklarata e publikuar i ngjanë grupeve kriminale që mbanë pengje nën presion dhe frikë.

“Nuk duam që të bëhemi pjesë e një gare politike se prej ku vijnë prurjet në Lëvizjen BESA pasi që çdokush qe ka ardhur dhe vjen për çdo ditë është shkaku i vullnetit të mirë dhe hapësirës demokratike për të vepruar brenda Lëvizjes BESA. Për rastin në fjalë besoj se duhet të pyetet personi në video i cili duket shumë i frikësuar dhe në gjendje stresuese se çka e ka shtyrë brenda një ditë të “ndryshojë” qendrimi dhe pse deklaratën nuk e ka dhënë duke i njoftuar gjitha mediat por vetëm para një mikrofoni dhe një kamere që më shumë u ngjan grupeve kriminale që mbajnë pengje nën presion dhe frikë”. thotë zëdhënësi i Lëvizjes Besa, Elmedin Memishi./express

Baby Boo