Mustafa: Më mirë të paguajmë çmimin e humbjes se sa të prishemi me SHBA-në


Kryetari në dorëheqje i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Isa Mustafa, pas takimit me kryetarët e degëve të kësaj partie, ka thënë se zgjedhjet e brendshme do të përfundojnë kah mesi i muajit mars.
Mustafa po ashtu tha se nuk ka asnjë dorëheqje të kryetarëve të degëve në këtë parti, teksa shtoi se ende nuk është përmendur asnjë emër për pasardhësin e tij.

“Jo, nuk janë përmendur, iu kemi thënë që të mendojnë, të bëjnë propozime ndërkohë do të mundohemi sa më shpejt të kemi propozimet prej degëve, edhe prej kryesisë edhe ta përmbyllim këtë proces sa më shpejt. Nuk kemi caktuar datë, afati më i gjatë i mbledhjes është 60 ditë, por ne nuk do të presim 60 ditshin, do të bëjmë përpjekje që diku më së largu deri në mesin e marsit ta përmbyllim këtë proces”, theksoi ai.
Mustafa ka komentuar rezultatin e partisë dhe fitoren e Vetëvendosje, për të cilën tha se është rezultat popullsit dhe nuk është ‘i dobishëm për asnjë vend’.

Ndërsa, tha se LDK më mirë që paguan çmimin e humbjes me vota, se sa të prishen marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Për mua çdo rezultat që është rezultat popullist, në çdo vend, edhe përpara në regjimet e tjera, edhe tani në demokracinë evropiane nuk është treguar në asnjë rast i mirë dhe i dobishëm për asnjë vend. Gjithsesi edhe për këtë rezultat, mendoj që asnjë herë politikat populliste të asnjë vendi demokratik nuk i kanë shërbyer. Kanë vendosur qytetarët, nuk e vë në pikëpyetje vendimin e tyre, por që nuk besoj se i kemi bërë mirë Kosovës me këtë rezultat dhe nuk besoj që kemi bërë gabim si LDK që kemi prish koalicionin me VV-në, sepse kemi bërë shumë mirë dhe e kemi bërë për të ruajtur marrëdhëniet strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për ta ruajtur dinjitetin e partisë tonë. Që s’e kemi paguar çmimin, ne paguajmë çmimin, por për mua shumë më i lehtë të paguajmë një çmim me një votë, edhe disa vota se sa të paguajmë çmime me partnerët tanë strategjikë dhe me ardhmërinë tonë. Derisa kemi zhvilluar fushatë në terren nuk ka pasur asnjë sinjal që ka ndikuar (shkuarja e Vjosa Osmanit). Vota jonë ka shkuar në VV, njerëzit që para një viti kanë votuar LDK-në, tani e kanë votuar Vetëvendosjen dhe ndryshimin që ata e kanë promovuar. A e kanë qëlluar apo jo, do ta shohim së shpejti”, tha Mustafa.

Për humbjen e madhe të LDK-së, ai theksoi se nuk e kanë pritur këtë rezultat, pasi nuk kanë pasur asnjë vlerësim të tillë edhe nga fushata që kandidati për kryeministër Avdullah Hoti e ka bërë në gjithë Kosovën.
“Ka ndodhur kështu një rrëshqitje e votës, qytetarët mund ta dinë pse e kanë bërë atë. Por, jam shumë bindur që LDK-ja ka pasur dhe ka arsye që ta ruajë programin e vet të qendrës së djathtë, trashëgimin e vet, edhe se do të rikthehet edhe më fuqishëm në të ardhmen”, tha ai.

Baby Boo