Musliu: Serbia nuk po përgatitet vetëm me armë për ta trazuar Kosovën


Eksperti i sigurisë Agim Musliu ka folur rreth ndalimit të një serbi në Kosovë, tek i cili u gjetën një sasi armësh, municioni, para e granata dore, pak ditë para skadimit të afatit për konvertimin e targave ilegale serbe me ato RKS, e të cilat po kundërshtohen nga Serbia dhe serbët lokalë. Në një postim në Facebook, Musliu ka thënë se serbi i ndaluar nga autoritetet e Kosovës është pjesë e një organizimi që po e bën Serbia së bashku me Rusinë kundër Republikës së Kosovës.

“Dje Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës publikoi në rrjete sociale disa fotografi, të bëra pas ndalimit të një serbi, ku shiheshin arme, municion, radiolidhje, para 12.000 euro e 4 granata dore”. Ai thotë se sekuestrimi i një megafoni është një sinjal për atë çfarë po përgatitet Serbia.

“Megjithëse aksioni i Njësisë antidrogë e ka pasur rastin, në dyshime për narkotik, dhe sipas informatave, serbi i ndaluar po mbahet në paraburgim për veprimtari nga Njësia e antikrimit të organizuar, kam bindjen se megafoni flet se për çka duheshin pajisjet e tjera që janë sekuestruar armët dhe paratë”. Ai shprehu shqetësimin se serbi që po mbahet është pjesë e një organizimi që po e bën Serbia (së bashku me Rusinë) kundër Republikës së Kosovës.

“MEGAFONI jo vetëm që shërben për ta rritur zërin e udhëheqësve serbë, të cilët flasin për trazira, por ai FLET vetë për qëllimin e këtij serbi dhe të vetë Serbisë e Rusisë”.
“Nëse ky serb është ndaluar, kjo nuk do të thotë që të tjerë nuk kanë kaluar pa u vërejtur! Në pjesën veriore, përgjatë kufirit në Serbinë, ka pasur dhe besoj kanë mbetur ende rrugë ilegale, përmes të cilave barten armë”.
“Si përfundim, MEGAFONI është sinjal se Serbia po përgatitet jo vetëm me armë ta trazojë Kosovën, por këtë do ta bëjë edhe me fjalë publike. Gjë që e tha edhe vetë kryekrimineli serb Vuçiq”, ka shtuar tutje Musliu./Telegrafi/

Baby Boo