MPJ: Për blerje ambasadash, dyshime për keqpërdorim të 50 milionë eurove


Sekretari Shtetëror i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Viktor Dimovski, ka pohuar se Qeveria e kaluar në krye me ministrin e Punëve të Jashtme, ka keqpërdorur procedura në shitblerjen e përfaqësive diplomatike si konsullata dhe ambasada të Maqedonisë në disa vende të Europës, ku ka dyshime reale se është kryer një keqpërdorim financiar prej afro 50 milion eurosh.

Në këtë krim financiar, sipas Dimovskit, është krijuar një rrjet i firmave dhe avokatëve të huaj të cilët e kanë kryer shitblerjen e këtyre objekteve, në bashkëpunim të afërt me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Maqedonisë dhe sekretarin shtetëror të kësaj ministrie.

“Në vitin 2007, Qeveria e Maqedonisë kishte sjellë vendim që të ndahen 40 milion euro për blerjen dhe renovimin e 15 objekteve të cilat do të shërbenin si përfaqësi diplomatike të Maqedonisë jashtë vendit. Ndërsa me rebalancin e buxhetit në dhjetor të vitit 2007 për këtë qëllim ishin dedikuar edhe 10 milion euro të tjera. Nga gjithsej 15 objekte të cilat ishin paraparë të blihen, janë blerë vetëm 5 edhe atë në qytetet si: Lubjanë, Vjenë, Budapest, Pragë dhe Stamboll. Dhe në të gjitha këto kemi dyshime reale se ka shumë lëshime dhe keqpërdorime si në dokumentacionin për blerje ashtu edhe në ato të renovimit, të cilat do t’i dorëzojmë para organeve të hetuesisë, ndërsa dëmi që i është shkaktuar buxhetit të vendit llogaritet diku të kap shifrën e 50 milionë eurove”,– tha sekretari shtetëror në MPJ, Viktor Dimovski.

Të gjitha këto përfaqësi diplomatike, sipas Dimovskit, janë blerë jashtë lokacioneve atraktive të cilat janë paraparë për ambasada.

“Në Vjenë objekti ka kushtuar 3,5 milion euro, ndërsa vetëm rikonstruimi ka kushtuar 1,4 milionë euro. Gjitha këto shitblerje në disa vende i ka kryer një zyre e avokatëve. Në Budapest objekti që është blerë me shumë prej 1 milion e 70 mijë euro dhe nuk është fuksional dhe që nga viti 2010 është marrë me qira objekt tjetër. Në Pragë, objekti që është blerë ka qenë objekt pa leje të ndërtimit”,- theksoi sekretari shtetëror në MPJ, Viktor Dimovski.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme po ashtu pohuan se janë duke u hetuar edhe raste të tjera, për përfaqësitë e tjera diplomatike, në të cilat realisht ka dyshime për keqpërdorim të mjeteve buxhetore.

Baby Boo