Mos të bëhet Vlora Çitaku ‘tabelë qitjeje’, ja kush është fajtori për lajmin e pavërtetë


Pas lajmit të pavërtetë të publikuar nga presidenti Hashim Thaçi se Xhamajka e ka njohur Republikën e Kosovës, kanë vërshuar reagimet ndaj tij, ambasadores Vlora Çitakut por edhe ndaj vet shtetit të Kosovës.

Njohësi i çështjeve politike, Agron Halitaj, thotë se nuk mund të bëhet ‘tabelë qitjeje’ Çitaku, shkaku i papërgjegjësisë së liderit të shtetit, Hashim Thaçit dhe shefit të saj në Ministrinë e Jashtme, Glauk Konjufcës.

Halitaj pohon se ka bindjen që Thaçi e ka keqpërdorur informatën që ajo ia ka transmetuar në komunikim intern.

“As atij, e askujt tjetër në Kosovë nuk i ka takuar ta bëjë publik lajmin për njohje pa u pranuar Nota Verbale nga ky shtet. Nuk është hera e parë që autoritetet në Kosovë bëjnë gabime të tilla”, shkruan Halitaj, përcjell gazeta “Bota sot”.

Ai shton se duke mos i respektuar rregullat e njohjes, sot nuk dimë saktë se sa shtete na kanë njohur.

Shkrimi i plotë:

Ambasadorja Vlora Çitaku nuk duhet të bëhet ‘tabelë qitjeje’ shkaku i papërgjegjësisë së liderit të shtetit dhe shefit të saj në Ministrinë e Jashtme. Në radhë të parë nuk besoj që ajo e ka vënë në lajthim presidentin e shtetit lidhur me “njohjen” nga Xhamajka, por kam bindjen se Hashim Thaçi e ka keqpërdorur informatën që ajo ia ka transmetuar në komunikim intern. As atij, e askujt tjetër në Kosovë nuk i ka takuar ta bëjë publik lajmin për njohje pa u pranuar Nota Verbale nga ky shtet. Nuk është hera e parë që autoritetet në Kosovë bëjnë gabime të tilla. Duke mos i respektuar rregullat e njohjes, por duke ngarendur për marrje meritash, sot nuk e dimë saktë se sa shtete na kanë njohur, por të gjithë, duke filluar nga presidenti e teposhtë, flasim me tahmin. Rolin e viktimës së ’lajmit të rremë’ më së pakut i takon ta luaj ministri i ri i Punëve të Jashtme, sepse po të vepronte në rrafshin profesional, siç po thirret tani, ai do ta falënderonte Xhamajkën vetëm kur në dorë ta kishte Notën e njohjes. Tash që ka shpërthyer skandali më së lehti është të viktimizohet më i dobëti, por kjo nuk është e drejtë.

Baby Boo