“Mos ma prek Parisin”, kur protestohej kundër kullës Eiffel


Sot, Parisi nuk mund të përfytyrohet pa Kullën Eiffel. Ky objekt i vendosur në kryeqytetin francez në 31 Mars 1889 është një nga monumentet më të famshme e më të fotografuara në botë. Por, 130 vjet më parë, para përurimit të saj, ndërtimi i Kullës Eiffel për pak sa nuk e ndau Parisin më dysh.

Edhe sot kujtohet beteja e arkitektëve, shkrimtarëve, poetëve, piktorëve më të njohur të viteve ‘800, të cilët me parrullën “mos ma prek Parisin” e kundërshtuan me forcë vendosjen e kullës metalike. Aq e madhe ishte kundërshtia e tyre, saqë këta intelektualë, që më pas u quajtën “Komiteti i të 300-ëve”, hartuan edhe një peticion publik, në të cilin shprehnin indinjatën e tyre të thellë për shëmtimin e paskrupullt që po i bëhej Parisit.

Nuanca të një kundërshtie të përafërt, sigurisht në përmasa më të vogla, përjetoi edhe ideja për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar në Tiranë, e projektuar nga një prej arkitektëve më të njohur, danezi Bjarke Ingels.

E për të kuptuar se çfarë kundërshtimi i është bërë Kullës Eiffel, po ju sjellim një copë nga peticioni i “Komitetit të 300-ëve” (i nënshkruar nga emra të mëdhenj të letërsisë dhe artit si: Charles Gounod, Guy de Maupassant, Alexandre Dumas, François Coppée, Leconte de Lisle, Sully Prudhomme, William Bouguereau, Ernest Meissonier, Victorien Sardou, Charles Garnier etj)

Ekstrakt nga “Protesta kundër Kullës së Zotit Eiffel”, 1887

“Ne, shkrimtarët, priktorët, skulptorët, arkitektët, dashnorët e Parisit të bukur, i cili deri më sot ishte i paprekur, kemi ardhur të protestojmë me gjithë forcën dhe indinjatën tonë, në emër të shijeve të nënvlerësuara franceze, në emër të historisë së artit dhe të kulturës franceze që sot ndihet e kërcënuar, kundër ngritjes m’u në zemër të kryeqytetit tonë, të një krijese të panevojshme dhe të përbindshme, Kullës Eiffel, mëria popullore ndaj së cilës, që shpesh është është gjyqtare e arsyes dhe së drejtës, e ka pagëzuar me emrin Kulla e Babelit.”

Kanë thënë:

Joris-Karl Huysmans, novelist dhe kritik arti

Një gyp fabrike i lënë përgjysmë, një skelet që pret të mbushet me gurë dhe tulla, një skarë në formë oxhaku, një supostë me vrima.

Guy de Maupassant, shkrimtar

Një piramidë thatime e lartë me shkallë hekuri, një skelet gjiganti ngalakaq i ngritur mbi themele që duken sikur do të mbajnë monumentin e ndonjë ciklopi të stërmadh, i cili mpaket në një oxhak qesharak fabrike.

François Coppée, poet/novelist

Si direku i një aparati gjimnastike, i paplotë, i ngatërruar dhe i shfytyruar.

Léon Bloy, novelist/eseist

Një llampë rruge vërtet tragjike.

Paul Verlaine, Poet

Një skelet kambanoreje.

Revista Times, Londër

…e shëmtuar, e rëndë, e kushtueshme dhe përbindshmërisht e panevojshme!

Gustave Eiffel, inxhinier

Unë mendoj se kulla ka bukurinë e saj. A mos duhet të besojmë se, fakti që dikush është inxhinier, nuk duhet të shqetësohet për bukurinë e projektit të tij, apo se nuk dëshiron të krijojë elegancë, po aq sa edhe fortësi dhe jetëgjatësi?

Baby Boo