“Monstra”, Raufi u largua nga salla, Ismailloviq dhe Aziri i mohuan pretendimet e prokurores Fetai që propozoi të paraburgosen


Nga frika apo rreziku se do të arratisen, prokurorja Fatime Fetai ka propozuar që të akuzuarve në rastin “Monstra”, Agim Ismailloviqit dhe Fejzi Azirit t’u shqiptohet paraburgim. Për këtë, Prokuroria propozon që edhe të akuzuarit Haki Aziri t’i përforcohet masa e paraqitjes në Gjykatë, gjegjësisht ai të paraqitet çdo ditë, ndërkaq për Sami Lutën mbetet masa e njëjtë – të paraqitet dy herë në javë në Gjykatë. Mbrojtja po e kundërshton këtë propozim dhe e quan irracional. Fetai në sqarimin e saj tha se po e propozojnë këtë masë pasi gjykimi është nga fundi, a sipas saj, provat nuk janë në favor të të akuzuarve dhe për këtë ata mund të arratisen.

“Procedura penale është në fund. Sipas dinamikës së veprimit dhe vendimeve për pranimin e dy provave të fundit, është e qartë se procedura për më së shumti për dy seanca do të mbarojë. Duke e pasur parasysh afrimin e momentit të vendimit që ne si prokurori vlerësojmë se bazohet vetëm në fakte dhe prova, a për të cilët të akuzuarit janë të vetëdijshëm se nuk janë në favor të tyre, vlerësoj se masat për sigurimin e prezencës së të akuzuarve që janë aktualisht, nuk janë të mjaftueshme për të parandaluar arratisjen. Me të gjitha këto rrethana janë të njoftuara edhe mbrojtja edhe të akuzuarit, që tregon atmosfera e tensionuar”, tha Fetai, duke shtuar që pret që të akuzuarit të dënohen.

Gjykatësi i lëndës Ognen Stavrev, i tha prokurores se ky propozim duhet që të dorëzohet te Këshilli Penal i Gjykatës Penale.

“Është populiste dhe me qëllim reklamues këtë që po e propozon Prokuroria dhe nuk është hera e parë. Ajo po e bën këtë me qëllim që të parandalojë zbulimin e të vërtetës. Do të propozoj që të largohet prokurorja nga rasti”, tha Raufi duke shtuar se deri kur do t’i durojmë privilegjet e “Engjujve të Çarlit”, të cilët bëjnë trysni që t’i tërheqim dëshmitarët.

Sipas ekspertëve të konsultuar nga portalb.mk, propozimi i Prokurorisë duhet të dorëzohet fshehtë e jo në seancë publike, ashtu siç sot e ka bërë prokurorja. Sipas tyre, propozimi për paraburgim nuk dorëzohet në publik, pasi që nuk duhet t’i tregohet të akuzuarit se do të paraburgosim, a në ndërkohë nuk ka një vendim të tillë.

Në fakt ashtu ndodhi, pasi mbaroi seanca, prokurorja i tha gjykatësit se çfarë do të bëhet me të akuzuarit, ai tha se nuk ka të drejtë t’i ndalojë dhe të gjithë u larguan. Këshilli Penal i Gjykatës Penale pritet që gjatë ditës së sotme të vendos për këtë propozim.

Baby Boo