“Monstra”, MPB tregoi se ekzistojnë internet komunikime mes të akuzuarve


MPB sot dëshmoi se ekzistojnë dëshmi nga bisedat e internet komunikimeve mes të akuarve të rastit “Monstra”, pala mbrojtëse i kontestoi të njëjtat duke vlerësuar se janë biseda të përditshme dhe nuk kanë lidhje me rastin, ndërkaq me kërkesë të gjykatësit të lëndës, në seancat e ardhshme të njëjtat biseda do të publikohen, njofton Portalb.mk.

Sektori për Forenzikë Digjitale i Ministrisë së Punëve të Brendshme, në seancën e sotme gjyqësore e ka prezantuar ekspertizën e kryer rreth një muaj pas vrasjes së pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës, rreth kontrollit të kompjuterëve dhe laptopeve të konfiskuar nga 18 persona. Ata kanë bërë evidentimin e bisedave të realizuara në Fejsbuk, Sajkp, Mesinxher dhe e-mail në lidhje me rastin në fjalë.

Ekspertiza është bërë gjatë gjykimit të parë dhe rezultatet nga e njëjta i janë dorëzuar Gjykatës dhe Prokurorisë. Sipas urdhrit, MPB është dashur që t’i evidentojë internet komunikimet mes Agim Ismailloviqit, Haki Azirit, Sejdi Ramisë, Fejzi Azirit, Alil Demirit dhe 14 personave të tjerë në lidhje me rastin “Monstra”.

Në seancë nuk u tregua se çfarë kanë biseduar këto persona mes vete dhe nëse kanë porosi lidhur me vrasjen e pesëfishtë. Eksperti i MPB-së tregoi se ato nuk janë kompetentë në lidhje me porositë, por megjithatë ka theksuar se janë gjetur porosi nga e-maili dhe çat-komunikimi që janë ruajtur dhe dorëzuar në raport, të cilat janë dorëzuar në Prokurori dhe Gjykatë.

Nga Prokuroria Speciale thotë se nuk e dinë përmbajtjen e porosive, për të cilën do të deklarohen në fazën e fjalëve përfundimtare.

Nga ana tjetër, gjykatësi aktual i lëndës, Ognen Stavrev, deklaroi se në seancat e ardhshme do të publikohen këto biseda me qëllim që të zbardhet përmbajtja e tyre dhe nëse eventualisht dëshmojnë inkriminimin e dikujt.

Mbrojtja i konteston bisedat, janë të përditshme, nuk është theksuar intervali kohor

“Prokuroria nuk ka kërkuar që informaticientët e MPB-së të tregojnë për intervalin kohor të këtyre bisedave, pra kur janë realizuar këto kontakte, ky është një lëshim krucial”, vlerëson avokati i të akuzuarve, Naser Raufi.

“Vetë materialet janë irelevante për procedurën e provave. Sot u dëshmua se Prokuroria nuk ka kërkuar nga MPB për intervalin kohor se kur janë marrë, gjë që është kruciale për lëndën. Mund të jenë bisedat edhe më të vjetra”, thotë Raufi.

Sipas tij, Prokuroria ka pasur qëllim kuantitetin që të tregohet se gjoja ka shumë dëshmi, ndërkaq në lidhje me përmbajtjen e atyre komunikimeve, ai tha se nuk dëshmojnë se ndonjëri prej të akuzuarve është i inkriminuar në vrasjen e pesëfishtë.

“Vetë fakti që janë marrë më shumë kompjuterë, ndoshta bëhet fjalë për qindra, Prokuroria ka shkuar në kuantitet të dëshmive, sa për të treguar se ka ndonjë dëshmi – ajo po bëhet gjithnjë e më e qartë. Në lidhje me përmbajtjen, absolutisht nuk del asnjë provë për inkriminimin e tyre. Janë biseda të zakonshme, të përditshme. Nuk kanë vlerë prove për këtë lëndë”, shtoi Raufi.

Përpara ekspertëve të Forenzikës Digjitale, sot u sqarua edhe ekspertiza e Krim Teknikës, në lidhje me gjurmët e gishtërinjve. Eksperti tha se ka kryer analizë të gjurmëve vetëm të një veture “Fiat Punto” ku ka gjetur dy gjurmë, por të njëjtat nuk kanë mundur të identifikohen.

“Dy gjurmët janë evidentuar me L1 dhe L2 dhe të njëjtat janë vendosur për analizë dhe nuk është kryer identifikim”, tha eksperti Nenad Gori.

Seancat e radhës, do të mbahet më 10 dhe 20 dhjetor, kur duhet të dëshmojnë ekspertët nga mjekësia ligjore bashkë me ekspertët e balistikës nga MPB, gjegjësisht të njëjtët do t’i sqarojnë lëndimet e të vrarëve dhe mënyrën se si janë vrarë.

Familjarët e të vrarëve deklaruan për shkak të ndjeshmërisë së seancës, nuk do të marrin pjesë

“Monstra”

Alil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Haziri, Haki Haziri dhe Sami Luta, janë dënuar me burg të përjetshëm për rastin “Monstra”, nën akuzën se e kanë kryer vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës.

Vendimi për gjashtë të akuzuarit e rastit Monstra, acaroi shumë qytetarët dhe juristët të cilët vlerësojnë se nuk kishte prova te mjaftueshme për t’i shpallë ata fajtorë dhe të ju shqiptohet dënim me burg të përjetshëm. Ky rast shkaktoi bujë të madhe në Maqedoni, sidomos te popullata shqiptare duke u organizuar edhe protesta masive një muaj me radhë. Edhe pse disa herë u përfol në opinion nga lideri i LSDM-së, se ka material të përgjuar për rastin “Monstra”, megjithatë nga “bombat” e publikuara, për këtë të fundit nuk nxori asgjë.

Gjykata Supreme më 24 nëntor të vitit të kaluar solli vendim që lënda “Monstra” të shkojë në ri-gjykim, ndërkaq të dënuarit, Sami Luta, Haki Aziri, Agim Ismailloviq dhe Fejzi Aziri të lirohen nga burgu nën masa të kujdesit, gjegjësisht të mos lejohen që ta lëshojnë qytetin e Shkupit dhe të paraqiten te personi zyrtar në Gjykatën Themelore Shkupi 1 çdo të martë dhe të premte në periudhën prej orës 12 deri në orën 14”.

Prej këtyre katër personave, vetëm Fejzi Aziri është ende në burg pasi që akuzohet edhe për një rast tjetër për të cilën i është shqiptuar masa e dënimit prej 6 vjet e gjysmë, gjegësisht për gjuajte në fermën “Belimbegovo”.

Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq
             Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq

Momentalisht, në arrati gjenden edhe dy të akuzuarit Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri, të cilët momentalisht janë në Kosovë. Gjatë vitit të kaluar, Gjykata e Krimeve në Prishtinë ka liruar nga burgu.  Lirimi nga akuza si të pafajshëm i dy të dënuarve, të cilët në Maqedoni janë dënuar me burgim të përjetshëm, ka ardhur pasi Trupi Gjykues i Gjykatës në Prishtinë ka konstatuar se argumentet e Prokurorisë për Krime të Rënda në Maqedoni nuk mbajnë. Zyra e Besnik Berishës, avokati i dy shqiptarëve nga Shkupi, ka njoftuar asokohe se vendimi përfundimtar për pafajësinë e Ismailoviqit dhe Demirit është shqiptuar ditë më parë, pas përfundimit të dënimit me nga 2.5 vjet në burgun e Dubravës për armëmbajtje pa leje, përcjellë Portalb.mk.

 

Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri ishin arrestuar mars të vitit 2013, në një banesë në rrugën “Mehmet Gradica” të Prishtinës, ndërsa i kanë thënë prokurorisë se kanë banuar me qira nëpër banesa të ndryshme që nga koha e arratisjes prej Maqedonisë në vitin 2012. Banesat, ata i kanë kërkuar dhe gjetur nëpërmjet internetit.

Për të njëjtët, Ministria e Drejtësisë ka filluar procedurë për ekstradim.

Nuk dihet nëse Prokuroria Speciale për rastin në fjalë disponon me materiale të përgjuara edhe pse në opinion shpesh është përfolur se ka përgjime të cilat dëshmojnë se personat që janë burgosur kanë qenë të pafajshëm. Të njëjtën gjë e ka thënë edhe kryeministri aktual, duke dëshmuar se vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës nuk e kanë bërë personat që janë vendosur prapa grilave.

Baby Boo