“MONSTRA” ANULOHET PËR HERË TË DYTË, FAMILJET E DJEMVE TË VRARË DYSHOJNË PËR LOJËRA POLITIKE


Seanca e kaluar për rastin “Monstra” ishte shtyrë për shkaqe teknike, kurse seanca e sotme për shkak se gjykatësi i dytë ka shkuar në pushim mjekësor. Sot duhej të dëgjohej dëshmitari i rrezikuar. Pasi gjykatësi, Ognen Stavrev tha se sot nuk do të punohet, pasuan reagime të ashpra nga ana e prindërve të djemve të vrarë. Ata thonë se nuk besojnë se gjykatësi është sëmurë në korrik dhe akuzuan se Gjykata qëllimisht po e zvarrit procesin.

“Po përsëriten. Gjërat e njëjta po përsëriten. Kështu ndodhi edhe në të kaluarën, kështu është edhe tani”, tha Dragan Triçkovski, babai i djalit të vrarë, Filip Triçkovski.

Prindërit, në sallën gjyqësore thanë se gjashtë funksionarë të BDI-së dhe kryeministri Zoran Zaev, janë ata që e bllokojnë procedurën, kurse gjykatësi Stavrev u përgjigj:

“Nuk bëhet fjalë për lojëra. Gjithçka ishte gati për sot. Por, këtë mëngjes më njoftuan se gjykatësi i dytë, nga dje është në pushim mjekësor”, tha Ognen Stavrev, gjykatës në rastin “Monstra”.

Përfaqësuesja e familjeve, nga Gjykata kërkoi më shumë seriozitet kur bëhet fjalë për këtë rast, i cili është në interes të opinionit publik.

“Kjo është një goditje tjetër e madhe për prindërit, e jo vetëm për ta, por edhe për gjithë opinionin publik, për shkak se edhe seanca paraprake u shty. Mendonim se sot do të ndodhte diçka, se gjykata është gati, sepse edhe në ishim të përgatitur, por mendoj se nuk bëhet fjalë për ndonjë lojë dhe se më të vërtetë kjo është arsyeja e anulimit të seancës. Ne nuk jemi ata që duhet të dyshojmë, por nuk është e drejtë dhe nuk është në rregull që kështu në momentin e fundit të shtyhen të gjitha seancat, të cilat i presim me padurim”, u shpreh Dafinka Ivanovska, përfaqësues juridik i familjeve të të vrarëve.

Dëshmitari i rrezikuar E1 për herë të parë në procedurën për rastin “Monstra” ka dhënë dëshmi në dhjetor të vitit 2013. Në atë moment, opinioni publik nuk ishte pjesë e kësaj dëshmie. Por, në procedurën e rifilluar, gjykatësi Stavrev, lejoi që gazetarët dhe familjarët e të akuzuarve dhe të djemve të vrarë, ta marrin pjesë dhe ta dëgjojnë këtë dëshmi.

Baby Boo