“Monstra”, Agim Ismailoviq tregoi vendin ku gjendet vëllai i arratisur, Fejzi Aziri akuzoi policinë për montim


Në Gjykatën Penale sot ka vazhduar rigjykimi për rastin “Monstra”. Në bankën e të akuzuarve janë ulur Agim Ismailoviq, Fejzi Aziri, Haki Aziri dhe Sami Luta, ndërkaq me kërkesë të Prokurorisë Speciale, Gjykata pranoi që të arratisurit Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri të gjykohen në mungesë, njofton Portalb.mk.

Fillimisht, prokurorja e PSP-së, Fatime Fetai, e lexoi akuzën e vjetër të lëndës, ndërkaq në pas prokurori tjetër i PSP-së, Gavrill Bubevski e lexoi edhe versionin e dytë të akuzës, me të cilën personat e akuzuar akuzohen për kryerjen e veprës “terrorizëm”, gjegjësisht sipas akuzës, ata janë fajtor për vrasjen e katër djelmoshave të rinj dhe një peshkatarit në Liqenin e Smillkovës më 12 prill të vitit 2012.

Gjatë leximit të akuzës së vjetër, familjarët e të vrarëve, filluan të qajnë në seancë, ndërkaq Fetai paralajmëroi dëshmi të reja për rastin në fjalë.

Pas kësaj, gjykatësi i lëndës Ognen Stavrev, kërkoi që vetëm i akuzuari Agim Ismailoviq të qëndrojë në sallë, ndërkaq të tjerët të dalin jashtë, me qëllim që personit në fjalë t’i parashtrohen pyetje nga gjykatësi, prokurorët, por edhe avokatët.

“Që nga dita e parë kam deklaruar dhe ngelem në të njëjtën deklaratë edhe pas 6 viteve, nuk ndihem fajtor dhe nuk e kam kryer këtë vepër”, tha Ismailoviq në pyetjen e gjykatësit Stavrev nëse ndihet ai fajtor.

Ai shpjegoi se në ditën e arrestimit ka qenë “në internet kafe, ku ka punuar, në Hasanbeg, atje ku edhe banon me shtëpi”.

Ndërkaq në pyetjen se ku ka qenë gjatë orës 18:00 dhe 20:00, ai ka theksuar se edhe pse si kujtohet se kanë kaluar gjashtë vite, megjithatë sipas orarit, duhet të ketë qenë ose në xhami për faljen e namazit të akshamit ose mund të jetë falur në shtëpi.

“Më 12 prill para 6-të viteve kam qenë duke punuar në fast-food – internet kafja që ka qenë e imja, pra kur ka ndodhur ngjarja kam qenë në punë.

Në pyetjen se prej kur nuk është në Shkup vëllai i tij, Afrim Ismailoviq, (gjithashtu i akuzuar për të njëjtën vepër, por është në arrati), ai tha se i njëjti për shkak se më herët ka pasur një vepër tjetër penale dhe është dashur të shkojë në burg, ai kohë pas kohe nuk ka ndenjur në shtëpi.

Në pyetjet nëse ai ose vëllai i tij kanë poseduar armë, Agim Ismailoviq u përgjigj me “jo”.

Baby Boo