Molliqaj për Kurtin: “Është i rrezikshëm, urgjent të gjithë të bëhen kundër veprimeve të tij”


Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka thënë se, zgjidhja e problemeve duhet të bëhet vetëm përmes mekanizmave politik. Përmes një video mesazhi, kryetari i PSD-së ka shtuar se, bashkësia ndërkombëtare nuk po bënë presion ndaj Serbisë, por ndaj Kosovës, e kjo për shkakun, sipas tij, të veprimeve të rrezikshme të qeverisë Kurti.

“Në qershor qeveria e Republikës së Kosovës vendosi masat e reciprocitetit, ishim kundër këtyre masave sepse ishim të bindur se nuk është zgjidhje për problemin. Ne besojmë se zgjidhja e problemeve duhet të bëhet vetëm përmes mekanizmave politik”, ka thënë ai. Molliqaj ka thënë edhe se, të gjithë ata që e duan Kosovën nuk duhet të bijnë në grackën e veprimeve të tij.

“Në njërën anë serbët janë larguar tashmë nga institucionet e Republikës së Kosovës, në anën tjetër, kemi po ashtu që bashkësia ndërkombëtare, presionin në vend që të bëhej ndaj Serbisë, po e bëjnë ndaj Kosovës, për shkak se veprimet e qeverisë Kurti kanë qenë veprime të rrezikshme. Nuk është hera e parë që ne e themi që kryeministri i Kosovës është i rrezikshëm. Prandaj të gjithë ata që e duan Kosovën, nuk duhet të bijnë në grackën e veprimeve të tij, dhe mbështetjes së këtyre veprimeve”, ka shtuar i pari i PSD-së. Më tej, ai ka thënë se është koha për një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, e jo për marrëveshje të përkohshme e të pjesshme.

“Është koha që sa më parë, në mënyrë urgjente, të gjithë të bëhen njëzëri kundër veprimeve të kryeministrit Kurti. Dhe po ashtu të gjithë së bashku dhe njëzëri të bimë dakord që Kosova dhe Serbia nuk kanë nevojë për marrëveshje të përkohshme as të pjesshme, kanë nevojë për marrëveshje përfundimtare e që e njohin njëra tjetrën. Çfarëdo kompromisi është mirë të diskutohet e të kemi zgjidhje përfundimtare, se sa të kemi intervenime e të cilat nuk prijnë zgjidhje siç duhet. Prandaj në njërën anë duhet të adresojmë saktë dhe hapur problemin me Serbinë, e jo të bëjmë dialog sekret dhe jopublik qysh po bën kryeministri i Kosovës”, ka thënë ndër tjerash Molliqaj. /Lajmi.net/

Baby Boo