Mjeku i UÇK-së: Ramushi t’i tregojë popullit se si u bë milioner, prokuroria të nisë hetimet


Ish-mjeku i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Liri Loshi, ka thënë se Ramush Haradinaj dhe disa komandantë të tjerë, nuk i kanë borxh Kosovës sa i përket kontributit të tyre në luftë.

Por, ai ka theksuar se Haradinaj e ka borxh t’i tregojë popullit të tij se si ka arritur të bëhet milioner pa pasur një biznes legal dhe pa pasur një punë të rregullt.

“Unë kam respekt për kontributin e Haradinajt dhe të familjes së tij në luftë kundër Serbisë, por nuk kam hiç respekt për kështjellat e tij në Prishtinë dhe Gllogjan, pa e ditur saktësisht burimin e parasë me të cilat ato janë ndërtuar”, ka shkruar Loshi në një postim në Facebook.

Ai ka thënë se ka Haradinaj është shembulli më përfaqësues i njeriut që heroizmin e luftës e ka konvertuar në të mira materiale personale e familjare. Shumë pak pas tij, sipas Loshit mbetet “Hashim Thaçi dhe kompania e tij”.

Ai ka kërkuar nga Prokuroria e Kosovës që të nisë hetimet dhe njerëzve të tillë t’ua pamundësojë ta vazhdojnë udhëtimin e tyre politik.

Postimi i Loshit:

A shpëtohet Kosova përmes kr imit?!

Unë mendoj se Ramush Haradinaj si edhe disa komandamtë tjerë nuk i kanë borxh Kosovës sa i përket kontributit të tyre në luftë. Por Ramush Haradinaj, tash pas njëzet vitesh që Serbia më nuk është në Kosovë, i ka borxh t’i tregojë popullit të tij se si ka arritur të bëhet milioner pa pasur një biznes legal dhe pa pasur një punë të rregullt, pos ndonjë periudhë kohore si anëtar i TMK-së, si kryeministër, si deputet, apo si një pensionist invalidor.

Është një kategori njerëzish që pasurimin e tij e arsyetojnë me kontributin e luftës. Madje, ata duke aluduar në vëllëzërit e tij dëshmorë, konsiderojnë se Haradinajt i takon çdo pasuri që mund ta ketë përvehtësuar, me argumentin se ka derdhur gjak për Kosovën. Unë kam respekt për kontributin e Haradinajt dhe të familjes së tij në luftë kundër Serbisë, por nuk kam hiç respekt për kështjellat e tij në Prishtinë dhe Gllogjan, pa e ditur saktësisht burimin e parasë me të cilat ato janë ndërtuar. Nuk ka një shtet normal në botë që nuk do ta kontestonte një nënyrë të tillë të pasurimit, kur në tokë mbijnë si kërpudhat, disa kështjella që kushtojnë disa milionë dhe i përkasin një njeriu.

Faktet që shihen për fushë flasin për një kr im ekonomik. Tash problemi është se kr imi ekonomik shpesh lidhet me kri min human, qoftë si shkak, qoftë si pasojë! Ju që shikoni filmat e mafisë e kuotoni më mirë për çka po flas. Ju të tjerët mjafton ta shihni vetëm një film të tillë dhe do të më kuptoni më mirë. Nuk ka një film të tillë ku përvehtësohen milionat e nuk vriten, apo lendohen njerëzit.

Përderisa nuk je i pastër ekonomikisht, nuk je i pastër as moralisht dhe kushdo që nuk i ka këto dy pastërti nuk e meriton të jetë në drejtim të shtetit të Kosovës. Nëse dikush thotë se kështu mendon Serbia, unë po ju them jo. Kështu mendon Liri Loshi. Dhe, ata që thonë se secilit komandant të luftës i ka takuar çfarëdo pasurie pas lufte, në emër të gjakut për liri, unë ju them jo, nuk i ka takuar, jo secilit, por asnjërit. Është e vërtetë se liria fitohet më gjak, por pasuria nuk fitohet me gjak. Ajo fitohet me punë dhe djersë. Kushdo që është pasuruar pa punë dhe djersë, ka keqpërdorur mundin dhe djersën e popullit të Kosovës dhe të gjithë këta duhet të përgjigjen para ligjit.

Uroj që Haga ta kryej sa më shpejt punën e vet, sepse menjëherë pastaj ne duhet ta kryjmë punën tonë me mafinë politike dhe kri min ekonomik që i është bërë dhe po i bëhet Kosovës. Në fakt, prokuroria e Kosovës duhet ta kryejë punën e vet edhe tash ndaj çdo dyshimi të ngritur për këdo qoftë, pamarrë parasysh a ka luftuar dhe sa ka luftuar dhe pa marrë parasysh a është kryeministër, apo president i Kosovës. Do të vijë nhë prokurori që ta bëjë përgjegjës këtë prokurori që është sot dhe që ta ulë në bangat e gjyqit bashkë më kri minelet.

Më vjen keq që si shembull e mora Ramushin, por më duket se është shembulli më përfaqësues i njeriut që heroizmin e luftës e ka konvertuar në të mira materiale personale e familjare. Shumë pak pas tij mbetet Hashim Thaçi dhe kompania e tij. Këta veç shpërndarjen e pasurisë e kanë bërë në një mënyrë tjetër nga Ramushi. Prokuroria qysh tash duhet të fillojë hetimet dhe njerëzve të tillë t’ua pamundësojë ta vazhdojnë udhëtimin e tyre politik. Për ta shpëtuar Kosovën duhet ecur nëpër udhë të rregullta dhe ligjore, jo nëpër udhë të kri mit. Kri minelët gjithmonë do ta kenë hallin si ta shpetojnë vetëveten dhe jo si ta shpëtojnë Kosovën. Ne fakt, ka rrezik që duke tentuar përmes Kosovës ta shpëtojnë vetveten, ta marrin me vete edhe Kosovën.

Baby Boo