Mjekët i hoqën gabimisht një pjesë të zorrëve, pacienti dëmshpërblehet me 300 mijë €


Një pacient që humbi një pjesë të madhe të zorrëve për shkak të gabimeve të mjekëve do të dëmshpërblehet me 300 mijë euro.

Mediat italiane raportojnë se Gjykata e Vicenzës ka dënuar dy spitale veneciane pasi pacienti përjetoi një kalvar me dhjetë shtrime në spital dhe pesë operacione.

Me vendim gjykate Autoriteti Shëndetësor Vendor 7 Pedemontana dhe Spitali Universitar i Padovës ndëshkohen me dëmshpërblim 300 mijë euro, nga të cilat mbi 230 mijë do të paguhen nga shoqëria e kujdesit shëndetësor Vicenza, ndaj pacientit 52-vjeçarit me iniciale F.F..

Dënimi erdhi pas një odiseje të vërtetë që zgjati tre vjet në fund të së cilës burri, viktimë e gabimeve të shumta mjekësore ka humbur një pjesë të madhe të zorrëve të tij.

Historia filloi në maj 2013 kur, për shkak të dhimbjeve të forta të barkut, pacienti me iniciale F.F. shkoi në urgjencën e spitalit Alto Vicentino në Santorso. I shtruar në spital burri priti tre muaj për t’iu nënshtruar ekzaminimeve. Një ditë pas ekzaminimit, për dhimbje të tjera shumë të forta, ai u shtrua sërish në spital pasi kishte probleme me zorrët. Pacienti F.F për një vit të tërë iu nënshtrua operacioneve të ndryshme dhe trajtimeve të vazhdueshme derisa vendosi të shkojë në një spital të specializuar, në klinikën kirurgjikale 1 të Spitalit Universitar të Padovës.

Edhe atje filloi një seri e re shtrimesh dhe operacionesh, deri në operacionin e fundit, në maj 2015, gjatë të cilit burrit iu desh t’i nënshtrohej një hapje artificiale të zorrëve për të devijuar rrjedhën e jashtme të jashtëqitjes.

Por pas këtyre operacioneve, u shfaqën menjëherë elementë që çuan në dyshimin e punës së punonjësve shëndetësorë, pavarësisht faktit se asnjë nga dy strukturat shëndetësore të përfshira nuk donte të pranonte përgjegjësinë e tyre.

Baby Boo