Mjaft vështirë të udhëtosh me veturë gjatë verës në Tetovë!


Nuk është e leht të udhëtojsh me veturë gjatë verës në Tetovë
DROMCA JETE (VERE) NGA TETOVA…! – Ismail Arsllani
Në vitin 1973 u bëra gazetar me rrogë. Po atë vit e mora patentën e shoferit. Kësaj here, për Tetovën time s’do të flas si gazetar, por si shofer. Besoj se do t’ma jepni këtë të drejtë, sepse jam njëri ndër shoferët më të vjetër në këtë qytet që ka numër rekord shoferësh. Nuk do të shkruaj me të shtjelluar, por hapur, që të kuptojnë edhe ata që shtirren se s’kuptojnë…

Me të dalë nga vend-parkimi im i egër, pranë trotuarit, në njërën ndër rrugët më frekuentuese të Tetovës, duke pasur kujdes që mos t’i pengoj trafikut, dikush pas meje, nja dhjetë metra larg, i bie sirenës (borisë) dhe unë nuk e kuptoj pse ndodhi kjo. Vazhdoj rrugën sikur s’ka ndodhur asgjë. Kolona e veturave ngjishet. Njëri, në veturë me xhama të errët, ndalet për pikë qejfi dhe bën muhabet me një tjetër në mes të rrugës. Ai që i ra sirenës pak më parë, tash heshti apo u frikësua nga targat që i pa dhe priti si unë, derisa të përfundojë muhabeti. Pastaj vazhdojmë rrugën. Kaloj me vështirësi nga njëra unazë, pastaj edhe nga tjetra.

Unazat për mua janë gjërat më qesharake, mbase mund të kenë faj rregullat e trafikut. Kërkoj prej njërit shofer përparësi të kaloj, sepse shpejtoj shumë, ai bëhet “anglez”. Nejse, pres edhe pak. “Anglezi” fton me dorë nga trotuari një këmbësor që të kaloj te vijat e bardha, çudi si nuk e thërriti nga shtëpia! Ky sovrani prej këmbësori nuk shikon as djathtas e as majtas, por e ka ulur kokën, ecë ngadalë dhe shikon vetëm në celularin e tij.
“Unaza” ngjishet edhe më shumë. Temperatura hip në 39, dielli është përcëllues. Të gjithë në unazë, afër tregut të gjelbër, presin këmbësorin sovran me celularin në dorë, për të kaluar nja katër metra rrugë. Shoferët durojnë. Mirë e kanë, mendoj në vete.

Nuk më dhanë një përparësi të vogël të kaloj, tash presin një duzinë veturash për të lëvizur.
Dal mezi në rrugën e ashtuquajtur të Gostivarit, kaloj mbi urën e lumit Shkumbin, me një shpejtësi – në çdo sekondë, nga një metër. Shoh para vetes vetura me targa të huaja. Them, me kokën time prej shoferi të vjetër, çka mendojnë këta për Tetovën tonë dhe të tyre, që e kanë bra*ktisur “për pikë qejfi!”. Para syve shtrihet një pamje e bukur. Një shteg i ngushtë skaj rrugës, i ngjyrosur për bukuri, me do alamet shenjash e mjetesh teknike dedikuar për biçikletistë. Kërkoj vijat e bardha në mes të rrugës për veturat, por nuk i shoh.

Mbase i kanë mbuluar veturat e parkuara në të djathtë. Rruga është ngushtuar e është bërë një tunel. Shikoj djathtas, nuk shoh asnjë biçikletist. Kujtoj me këtë kokën e shoferit të vjetër, këta që e bënë këtë, a menduan se do hyjmë në Evropë me këto shtigje, apo do bëhemi si Holanda apo Belgjika, ku ministrat shkojnë në punë me biçikleta!?

Kthej shikimin në rrugë. Shoh para vetës një kolonë të gjatë veturash.
Unë them nja njëqind, ti thuaj se janë dyqind, nuk gabon. Mundohen shoferët të dalin në destinacionin e tyre, por në vend se atyre t’u zgjerohen rrugët e qarkullimit, përkundrazi, u ngushtohen. Aty pari janë nja dy librari dhe do ëmbëltore. Përpara njërës prej tyre, është vendosur një tavolinë me disa karrige, jo në trotuar, eh, do t’ia falshim, madje jo në shtegun e biçikletave, përsëri do t’ia falshim, por pikërisht në rrugë, mbase aty frynë fllad. Vaj medet, thash me vete, edhe këtë e përjetova!

Asnjë nga shoferët s’bëzan, të gjithë ishin me sirena të prishura, prandaj pritnin momentin kur do të mund të futeshin në kolonë, sepse sovrani prej këmbësori pi limonadë në rrugë!
Sërish e kthej kokën në të djathtët, shikoj nga shtegu i biçikletave e nuk shoh asnjë biçikletë në lëvizje.
Shikoj përpara, shoferët heqin të zitë e ullirit. Dhe kujtoj, kush e shpiku këtë marifet? Boll ishte sovrani prej këmbësori, tash doli edhe një i dytë, i cili del kur t’i kujtohet, por rrugën e ka çel, kurdo qoftë.

Aferim u qoftë! Shkruanin një kohë në facebook, “na duhet shteg për biçikleta!” dhe, përnjëherë, e fituan shtegun.
Shoferët mund të ulërinin, nuk i dëgjon askush. Ata kanë edhe shumë probleme që i përjetojnë gjatë rrugës. Por heshtin dhe janë të dëgjueshëm e të kulturuar, sidomos ndaj këmbësorëve, por jo edhe ndaj shoferit tjetër, me pak përjashtime.

Prandaj, ndodh që, kur shkojnë shoferët ta regjistrojnë veturën e tyre, paguajnë taksa të majme për shfrytëzim të rrugës, për më shumë pse nuk shikojnë me kujdes përpara, gjatë ngasjes së veturës dhe hyjnë nëpër gropa pa e zgjedhur rrugën dhe, pastaj, thonë se u paska plas goma dhe qenkësh dë*mtuar makina. Kush u ka faj… le të bëhen edhe ata këmbësorë e biçikletistë…?!
P.S. Për autobusët urbanë dhe pl*ehrat, herëve të tjera.

Baby Boo