Ministrja Haxhiu thotë se mund të parandalohej vrasja e 35-vjeçares, ja kë fajëson


Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një konferencë për media ka bërë të ditur diskutimet që ka pasur me grupin e ngushtë ndërministror pas vrasjes së gruas shtatzënë të mërkurën në Klinikën e Gjinekologjisë në Prishtinë. Haxhiu, rastin e ka quajtur papërgjegjësi institucionale, pasi prokurori kishte marrë vendim për lirimin e dorasit në këtë rast.

“Ne vazhdimisht kemi bërë thirrje që të mbrohen jetët e grave dhe vajze. Sikurse prokuroria të ishte në krye të detyrës, rasti i tillë mund të ishte parandaluar. Kemi edhe disa informacione të tjera të cilat për shkak të hetimeve unë nuk mund t’i bëj të ditura”, ka thënë Haxhiu. Ajo bëri të ditur se kur personat përgjegjës institucional për rastin në fjalë do të verifikohen do të japin dorëheqje. Por, nëse as kjo nuk do të mjaftoj do të marrin veprime më madhore.

“Në momenti që do të verifikohet që vërtetohet personi do të jap dorëheqje, kompetencat janë të ndara, nëse shohim që ka dështuar do të ketë dorëheqje do të ketë shkarkim. Kjo neglizhencë po inkurajojnë kriminelët, asnjë prokurorë asnjë gjyqtarë nuk ka dhënë dorëheqje. Do të ketë dorëheqje e shkrime, por edhe përgjegjësi penale”.

“Me urgjencë kemi mbledhur grupin ndërministror, kemi diskutuar për veprimet institucionale në raport me këtë rast. Më lejoni të ju njoftoj sipas informacioneve nga Polica e Kosovës viktima kishte raportuar në korrik të këtij viti të dyshuarin për dhunë psiqike dhe fizike dhe Prokuroria personin e dyshuar e kishte liruar në procedurë të rregullt, është një papërgjegjësi institucionale, është një papërgjegjësi e prokurorit të rastit”, ka thënë Haxhiu.

Haxhiu shtoi se, “ky rast na tregon se sa i shprehur është femicidi që po vret jetë vajzash dhe grash”. E pyetur për prezencën e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës, ajo ka deklaruar se të njëjtit nuk kanë marrë pjesë në takim duke thënë se “nuk kam koment për veprimet e tyre”.

I dyshuar S.H nga Shtimja, i cili dyshohet se vrau ish-bashkëshorten e tij shtatzënë, H.M mbrëmjen e të mërkurës në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), vazhdojnë të jetë në arrati. Kështu thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

Nga ky institucion është thënë se kanë kërkuar në disa lokacione, por deri tani nuk kanë hasur në të dyshuarin. Teksa rasti vazhdon të jetë në hetime nga njësitet kompetente policore.

Më 30 nëntor, një ngjarje trishtuese ndodhi në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku një grua 35 vjeçare – në ditët e fundit të shtatzënisë – mbeti viktimë e një krimi monstruoz.

Rrjeti i Grave të Kosovës do të dalë në rrugë në shenjë revolte “për vrasjet brutale të grave nga duart e burrave”.

Protesta do të fillojë prej orës 16:00, të enjten në qendër të Prishtinës, përkatësisht në Sheshin Zahir Pajaziti nën moton: “VRASJA E GRAVE NGA BURRAT TË TRAJTOHET SI URGJENCË KOMBËTARE!”. /Albanianpost.com

Baby Boo