Ministria e Shëndetësisë paralajmëron masa ligjore ndaj deputetes që publikoi diagnozën e pacientëve


Ministria e Shëndetësisë në krye me Arben Vitinë ka paralajmëruar masa ligjore ndaj deputetes së AAK’së, Time Kadrijajt, e cila publikoi diagnozën dhe identitetin e persona që janë liruar nga karantina në Qendrën e Studentëve./Express

REAGIM

Ministria e Shëndetësisë reagon ashpër ndaj publikimeve të vendimeve të cilat shpalosin gjendjen shëndetësore dhe identitetin e personave të cilët janë kontrolluar sipas protokollit shëndetësor, të përcaktuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës.

Ministria e Shëndetësisë njofton opinionin publik se të gjitha vendimet e posaçme të nënshkruara nga ana e ministrit Arben Vitia janë rekomanduar nga profesionistët shëndetësorë, të fushave të ndryshme, të cilët e kanë përgatitur pasqyrën shëndetësore për secilin person që ka hyrë në territorin e Republikës së Kosovës pas hyrjes në fuqi të masave për mbrojtjen e shëndetit publik dhe rekomandimeve te Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

Këto ekipe profesionistësh janë ekspertë të fushave dhe të pavarur në punën e tyre. Është e pandershme dhe sulm i ulët ndaj profesionistëve shëndetësor, që në këtë kohë pandemie janë në krye të detyrës dhe mbajnë mbi supe përgjegjësi të mëdha për ruajtjen e shëndetit të qytetarëve tanë. Mbi të gjitha, publikimi i këtyre të dhënave paraqet cenim të rëndë të privatësisë, si dhe është i ndëshkueshëm edhe më ligjet në fuqi. Është një veprim skandaloz dhe mbi të gjitha jo njerëzor.

Ministria e Shëndetësisë bashkë me personelin shëndetësor mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e shëndetit publik, njëkohësisht edhe në mbrojtjen e privatësisë së qytetarëve tanë nga stigmatizimi, siç përcaktohet edhe me ligjet në fuqi.

Njëkohësisht, njoftojmë opinionin publik se Ministria e Shëndetësisë, si institucion, do të ndërmerr çdo veprim në pajtim me ligjin ndaj personave që kanë cenuar rëndë privatësinë e qytetarëve të cilët janë kontrolluar nga profesionistët shëndetësor.

Privatësia e gjendjes shëndetësore është e drejtë e garantuar me ligj për secilin qytetarë në Republikën e Kosovës. Ndaj ju bëjmë thirrje organeve kompetente që të ndërmarrin veprime me dispozitat ligjore në fuqi.

Baby Boo