Ministria e Shëndetësisë nuk ndërmerr masa: Kjo komunë detyrohet të pranojë ndihmë nga Serbia


E ashtuquajtura zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka hapur konkurs për pranimin e punëtorëve shëndetësorë, konkretisht mjekë, infermierë-teknikë, që do të dërgohen në disa QKMF të Kosovës, të cilët do të shërbejnë për një kohë të pacaktuar në vendin tonë.

Ndonëse Qeveria Kurti deri më tani nuk ka marrë asnjë veprim lidhur me këtë çështje, në këtë konkurs thuhet se sipas urdhrave të Ministrisë të Shëndetësisë së Serbisë, Qendra Shëndetësore në Mitrovicë do të ketë 45 mjekë dhe 120 infermier-teknikë.

Në Gjilan do të jenë 15 mjekë dhe 40 infermierë, ndërsa në Qendrën Spitalore Klinike të Prishtinës me seli në Graçanicë, do të dërgohen 15 mjekë dhe 40 teknikë-infermierë të cilët do të përgatiten në baza urgjente, punonjës të nevojshëm shëndetësorë për një periudhë të pacaktuar kohore.

Nënkryetari i komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli në një prononcim për Gazetën Metro, ka thënë se kjo komunë nuk ka informacione për këtë konkurs, duke shtuar se në Gjilan nuk ka asnjë ambulancë apo spital që operon si institucion paralel.

“Ne jemi njoftuar përmes mediave për këtë çështje, absolutisht komuna e Gjilanit nuk ka informacione për këtë konkurs dhe nuk kemi në Gjilan ndonjë ambullant apo spital që operon si institucion paralel! Sidoqoftë do të kërkojmë sqarime edhe nga komunat fqinje të banuara me serbë për ta parë nëse eventualisht ato kanë ndonjë info më shumë”, ka thënë Ismajli.

Ndërsa, nga komuna e Parteshit, e banuar nga komuniteti serb, ku pritet të dërgohen disa prej këtyre punëtorëve, thonë se sistemi i tyre shëndetësorë ka vetëm gjashtë infermierë.

Në një përgjigje të kësaj komune për Metron, thuhet se meqë Ministria e Shëndetësisë e Kosovës nuk ka ndërmarrë asnjë masë për këtë komunë që të hapet Qendra e Mjekësisë Familjare, detyrohen që të pranojnë ndihmë nga Serbia.

“Në sisitemin tonë vetëm gjashtë infermierë janë, nuk ka asnjë doktor e asgjë tjetër, pra Ministria e Shëndetësisë nuk ka ndërmarrë asnjë masë që edhe Ranilluku të ketë QKMF. Është shumë e nevojshme funksionimi i Qendrës së Mjekësisë Familjare në Partesh sepse kanë shumë nevojë si Komunë”, ka thënë kryetari i komunës së Parteshit, Dragan Petkovic, në një përgjigje për Metron.

Kjo nuk është hera e parë që shteti serb, përkatësisht Ministria e Shëndetësisë së Serbisë, urdhëron që të dërgohen punonjës shëndetësorë në Kosovë, ndërsa nuk kemi pasur asnjë veprim nga ana e Qeverisë për të parandaluar një gjë të tillë.

Kujtojmë se më 22 prill, Ministria e Shëndetësisë së këtij vendi kishte hapur një konkurs për 75 mjekë vullnetarë e 200 infermierë.

Baby Boo