Ministri i Arsimit thirrje SASHK-ut që ta ndërpresë grevën (VIDEO)


Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri edhe sot ka kërkuar nga SASHK-un që të ndërpresin grevën dhe nxënësit të kthehen në bankat shkollore për të vazhduar procesin mësimor. Ai tha se kërkesat e sindikatës është legjitime dhe rritje të pagave do të ketë, por prioritet janë nxënësit pasi humbja e mëtejmë e mësimit, do të krijojë boshllëqe shtesë në dije dhe njohuri të cilat më pas janë vështirë të rikuperueshme.

JETON SHAQIRI, MINISTËR I ARSIMIT
“Nga pozita e personit të parë në këtë resor apeloj deri tek të gjithë aktorët shoqëror e në veçanti deri tek SASHK-u dhe mësimdhënësit që në të gjitha vendimet e marra dhe veprimet e ndërmarra nga ata, të udhëhiqemi dhe të kemi parasysh atë se çfarë është në interes për nxënësit dhe çfarë është më e mira për nxënësit. Dhe interesi i tyre më i mirë është që ata t’i kthehen mësimdhënies në shkolla”

Ai tha se greva e SASHK- ut është opsion i cili është i garantuar me kushtetutë dhe ligje dhe si të tillë e respekton, por vlerëson se përparësi duhet t’i jepet dialogut social për tejkalim të problemeve. Shaqiri siguroi se do të ketë rritje të pagave por, nuk tregoi se sa do të jetë ajo rritje.

JETON SHAQIRI, MINISTËR I ARSIMIT
“Bëhet fjalë për dinjitet dhe ne duhet të vlerësojmë vlerën dhe punën e gjithë mësimdhënësve, mos e kthejmë këtë vlerë në këtë situatë në numër dhe ta lidhim atë numër jemi dakord ose jo, përsëri vazhdojmë grevën, përsëri s’ka mësim deri sa të arrihet një numër. Ky proces duhet të mirëkuptohet, mësim duhet të ketë, neve do ta arrijmë dhe do ta japim edhe atë numër, por nuk duam që në të mirën e këtij procesi të kushtëzohet me garantë atë të cilët janë nxënësit”.

Ministri Shaqiri dhe përfaqësuesit e SASHK-ut dje realizuan takim, megjithatë nuk u arrit marrëveshje për rritje të pagave dhe ndërprerje të grevës. Kujtojmë se, mësimdhënësit janë në grevë që nga dita e hënë. /KlanMacedonia/
VIDEO

Baby Boo