Ministri Hoxha: Shteti do të japë nga 10 mijë euro për ata që do të fillojnë një biznes agrar


“Më inkurajon interesi i të rinjve për të investuar në bujqësi sepse në vendin tonë, si dhe në BE, ne po përballemi me mplakjen e këtij sektori, e unë mbështes dhe do të mbështes edhe më tej çdo masë që do të ketë qëllim tërheqjen e të rinjve në sektorin e bujqësisë.
Ne do të kemi edhe thirrje të tjera, të reja për “Fermer të Ri”, masë kjo që ka vlerën prej 20,000 euro në grante, si dhe masa e re prej 10,000 eurosh për të filluar një agrobiznes të ri, të cilin ne planifikojmë të shpallim në periudhën e ardhshme.

Personalisht, unë do të përpiqem të dyfishoj mbështetjen për gruan rurale, vlera e mbështetjes që tani arrin në 180,000 denarë”, ka thënë Ministri i Bujqësisë Arjanit Hoxha.
1.Duke pasur parasysh faktin që kemi hyrë në valën e dytë të pandemisë, cilat janë rekomandimet tuaja për mbrojtjen e fermerëve dhe për përballjen me sfidat e reja të Covid-19?
“Vala e dytë e pandemisë vjen gjatë sezonit të mbjelljes vjeshtore, korrjes së orizit, përgatitjeve për grumbullimin e duhanit dhe plasmanit të mollëve. Në blegtori, sezoni është gjatë gjithë vitit, përveç sigurimit të ushqimit për bagëtinë, pjesa tjetër janë aktivitete të vazhdueshme. Në kushte të këtilla, fermerët duhet të marrin parasysh rekomandimet që vlejnë për të gjithë qytetarët.

Gjatë kësaj periudhe ne do të intensifikojmë punën e mjetit të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave (MBPEU), “Ofertë – kërkesë” në mënyrë që të ndihmojmë fermerët me plasmanin e produkteve.
Ata fermerë që nuk do të jenë në gjendje të regjistrohen në sistem, këtë do ta bëjnë, në emër të tyre, punonjës nga Njësitë Rajonale të MBPEU. Pastaj do të përqendrohemi në edukimin sa më të madh të fermerëve, drejtpërdrejt në terren përmes Agjencisë për Nxitjen e Zhvillimit Bujqësor (ANZH) dhe në bashkëpunim me shoqatat bujqësore, asociacionet, kooperativat, e kështu me radhë, me të vetmin qëllim që të përshtaten më lehtë me kushtet e reja të biznesit.

Sigurisht, në baza ditore ne do të monitorojmë se si zhvillohet eksporti i produkteve bujqësore dhe nëse paraqiten probleme, ne do të reagojmë në kohën e duhur. Në çdo rast, aktivitetet e MBPEU-së do të fokusohen në parashikim, parandalim dhe gjithmonë në relacion dhe veprim në interes të fermerëve dhe në të gjithë sektorin e bujqësisë.
Pandemia me Covid-19 edhe njëherë e ka vendosur në piedestal rëndësinë e prodhimit të ushqimit vendor, si më të sigurtin për të gjithë qytetarët, kurse ky është një argument plus për rolin strategjik që agro-kompleksiteti ka në vendin tonë”.
2.Fermerët kërkojnë takime më të shpeshta për të zgjidhur problemet më shpejt dhe më lehtë dhe për të rënë dakord mbi çmimet e blerjes para fillimit të çdo sezoni prodhimi. A do ta praktikoni këtë mënyrë bashkëpunimi ju, si ministër?

“Në prodhimin bujqësor aktivitetet janë sezonale dhe puna intensive fillon në muajin Shkurt me krasitjen e vreshtave dhe përgatitjen e fidanëve. Ne e dimë saktësisht se me sa tokë të punueshme disponojmë, rendimentin e pritur, prodhimin e qumështit, prodhimin e mishit, e kështu me radhë. Prodhimi bujqësor është i parashikueshëm dhe për këtë arsye zgjidhja e problemeve mund dhe duhet të fillojë para sezonit, ose sa të përfundojnë të korrat e sezonit, që të përgatitet sezoni i ardhshëm.
Kështu planifikoj të punoj, poashtu këtë strategji dua që ta inkorporoj edhe në MBPEU-në. Bisedime, negociata, parashikime dhe vendimmarrje në kohë. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në kushte të pandemisë, kur duhet të përshtatemi dhe të veprojmë në kohën e duhur. Në vreshtari, unë tashmë kam njoftuar Komitetin që do të fillojë punën sa më shpejt që zyrtarisht të përfundojë grumbullimi i rrushit, në mënyrë që të mos ndodhë më këtë vit.

Bashkëpunimi me fermerët, prodhuesit dhe agrobizneset ka një rëndësi të veçantë. Ata që punojnë më mirë i dinë problemet, por edhe zgjidhjet.
Ne së bashku do t’i ndërmarrim masat, do të kërkojmë dhe do të këshillohemi me prodhuesit, do të ndajmë përgjegjësinë në këtë sektor kompleks.
Qëllimi ynë është i përbashkët, të rrisim prodhimin e brendshëm bujqësor, të kemi eksporte më të mëdha dhe hyrje të valutave të huaja, vende të reja pune dhe profite më të mëdha për fermerët”.

3.Këtë vit fermerët patën probleme me çmimin e mishit të qengjit, poashtu edhe çmimet e ulëta të blerjes së lakrës, rrushit… Çfarë masash do të merrni vitin e ardhshëm për të mos përsëritur këto probleme?
“Këtë vit, përveç qengjit dhe lakrës, plasmani i të cilave u ndikua nga fillimi i karantinës dhe për të cilat Qeveria reagoi me subvencione shtesë, të gjitha produktet e tjera bujqësore shkuan në një situatë të mirë. Veçanërisht çmime të mira dhe plasman kishin frutat dhe produktet e kopshtit. Drithërat gjithashtu shkuan shumë mirë, kështu që motivuan fermerët të përgatisnin sipërfaqet për sezonin e ri, këtë vjeshtë.

Për rrushin, dihet tashmë për shqetësimet që ndodhën në tregun e verës, të shkaktuara nga pandemia, dhe me këtë ndodhi edhe rritja e stoqeve në kantina të verës, që ndikuan edhe në interesin e ulët për grumbullim. Por edhe me blerjen e rrushit këtë vit, ne morëm maksimumin nga situata.
Në bashkëpunim me kultivuesit dhe me kantinat e verës, Qeveria miratoi një sërë masash me subvencione shtesë edhe për rrushin që nuk ishte me cilësi të mirë për verë, por ne donim t’i ndihmonim kultivuesit të mos pësonin humbje. Lidhur me masat për korrjen e ardhshme, unë tashmë kam thënë, se kjo është e mundur vetëm në kohën e duhur, me veprim të përbashkët me të gjithë aktorët në këtë sektor dhe me një strategji afatgjate që do të garantonte siguri më të madhe për prodhimet bujqësore.

Fermerët duhet të kenë informacion në lidhje me atë që po ndodh në tregjet e huaja, çfarë cilësie kërkojnë tregjet evropiane, cilat produkte kërkohen dhe i gjithë ai informacion është i rëndësishëm për ta dhe ne do të investojmë shumë në atë edukim dhe informacion si institucion.
Kjo përfshin zhvillimin e procedurave kontraktuale, dhe si shembull do të përmend bashkëpunimin me fabrikën “Blagoj Gjorev” nga Velesi, e cili fjalë për fjalë e riktheu kultivimin e lulediellit në fushat maqedonase. Procedura kontraktuale është zgjidhja më e mirë për plasman të sigurt, kjo do të thotë se fermerët duhet ta dinë se sa dhe kujt do t’ia shesin të korrat para mbjelljes”.

4.Sa kontribuojnë subvencionet në zhvillimin e bujqësisë dhe cilat nga masat e marra deri më tani për mbështetje financiare në këtë sektor kanë rezultuar të suksesshme?
“Prodhimi bujqësor është i rëndësishëm për çdo shtet serioz sepse është një degë e tij strategjike, kjo do të thotë ushqim për të gjithë qytetarët. BE është e vetëdijshme për këtë, pasi ajo harxhon deri në 40 përqind të buxhetit të saj në subvencione direkte për bujqësinë dhe zhvillimin rural.

Produktet tona janë në të njëjtat tregje me ato që subvencionohen nga vendet anëtare të BE-së, por edhe me ato nga vendet e rajonit. Subvencionet bujqësore kanë për qëllim modernizimin e prodhimit, marrjen e një produkti konkurrues, motivimin e fermerëve të rinj për të investuar në biznesin agrar. Këto fonde buxhetore duhet patjetër të kenë një komponent zhvillimi dhe të rrisin prodhimin vendas të produkteve bujqësore.
Nga masat e marra deri më tani për të mbështetur bujqësinë, unë do të veçoja grante për “Fermerin e Ri”, “50-50 për mekanizimin” dhe atë për “Gruan rurale” të cilat ishin me interes të madh për fermerët. Veçanërisht jam i inkurajuar nga interesimi i të rinjve për të investuar në bujqësi sepse në vendin tonë, si dhe në BE, ne po përballemi me një sektor të plakjes dhe unë mbështes çdo masë që do të thotë tërheqjen e të rinjve në sektorin e bujqësisë.

Ne do të kemi edhe masa të reja për “Fermerin e Ri”, masa këto që tani janë në shumën prej 20,000 euro në grante, si dhe masën e re prej 10,000 eurosh për të filluar një agrobiznes të ri, që ne planifikojmë të shpallim në periudhën e ardhshme”.
5.Së fundmi u shënua Dita Botërore e Grave Rurale. Duke qenë se në vendin tonë një numër i madh i grave merren me bujqësi, çfarë do të bëni për të përmirësuar situatën e tyre socio-ekonomike?
“Bujqësia konsiderohet si një sektor i mbizotëruar nga meshkujt, dhe angazhimi ynë në periudhën e ardhshme do të jetë të sigurojmë njohje më të fortë për gratë dhe për rolin e tyre të rëndësishëm në këtë sektor.

Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian vazhdimisht analizojnë pozicionin e grave në bujqësi dhe në zonat rurale, që është brenda kornizës së politikës së përbashkët bujqësore, në mënyrë që të kapërcejnë stereotipet sociale në lidhje me rolet gjinore.
Masa 115 “Mbështetje për një anëtare femër aktive në sektoret bujqësore”, që gjendet në Programin Kombëtar për Zhvillimin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, mundëson shfrytëzimin e një granti në vlerë prej 180,000 denarë. Personalisht, unë do të përpiqem të dyfishoj këtë shumë duke filluar nga viti i ardhshëm”.

6.Cilat janë dëmet e shkaktuara nga pandemia në bujqësinë e Maqedonisë së Veriut, siç janë plasmani i rënduar, zvogëlimi i eksporteve, tregje të kufizuara…?
“Të gjitha problemet dhe ngecjet që kemi pasur që nga fillimi i krizës tani më janë tejkaluar dhe prodhimi i përgjithshëm i ushqimit po shkon normalisht. Pandemia rikonfirmoi rëndësinë e prodhimit bujqësor. Në rrjedhjë është vjelja e mollëve të cilat kanë plasman të siguruar. Ne nuk shohim shfaqje të problemeve me grumbullimin e orizit dhe duhanit. Fermerët tanë, veçanërisht kopshtarët dhe prodhuesit e frutave gjatë gjithë sezonit kishin një renditje të mirë dhe çmime të shkëlqyera.

Drithërat gjithashtu shkuan mirë, gruri ishte pothuajse i blerë dhe specat për ajvar kishin një çmim të shkëlqyeshëm. Lakra arriti për korrje këtë vit fill pak para karantinës, dhe i njëjti rast ishte edhe me shitjen e qingjave, por edhe këtu u tregua kujdesi që ka Qeveria për këtë sektor, e cila në bashkëpunim me blerësit dhe tregtarët, gjetën një zgjidhje të favorshme. Ne presim çmim të mirë edhe me grumbullimin e orizit dhe duhanit.
Ne tashmë e kemi kapërcyer me sukses problemin që u paraqit me grumbullimin e rrushit. Duke ditur situatën në terren me blerjen e rrushit gjatë takimeve të mia me kultivuesit si dhe të dhënat nga institucionet, miratuam masa që ndihmuan prodhuesit dhe përpunuesit. Këto janë subvencione rekord të larta që kanë amortizuar problemet e krijuara nga pandemia globale dhe tregu i trazuar i rrushit dhe verës”.

7.Cilat janë parashikimet tuaja për bujqësinë maqedonase në vitin 2021 dhe cili do të jetë fokusi juaj si ministër?
“Për mua është një nder i veçantë, por në të njëjtën kohë edhe një sfidë e madhe që të udhëheq një nga sektorët kryesorë ekonomik – bujqësinë. Si Ministër i Bujqësisë së bashku me ekipin tim, në katër vitet e ardhshme do të krijojmë politika dhe masa që do të përmirësojnë dhe afrojmë bujqësinë tonë me atë të vendeve evropiane.
Detyra jonë është që me një strategji dhe mbështetje të përshtatshme ta bëjmë bujqësinë në Maqedoninë Veriore një nga degët më produktive dhe më fitimprurëse, që do të thotë një jetë më e mirë për 200,000 familje bujqësore.
Procedurat kontraktuale, plasman të sigurtë, zhvillimi i kapaciteteve të përpunimit, produkte konkurruese, do të jenë fokusi i veprimit tim në periudhën e ardhshme. Afrimi dhe përshtatja me politikën e përbashkët evropiane do të jetë rruga që do të ndjekin bujqit në vend”.

Baby Boo