Ministri gjerman jep një lajm të mirë për masat e izolimit


Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, ka lënë të kuptohet se masat kufizuese mund të largohen para pranverës, pasi numri i rasteve të reja në Gjermani po zvogëlohet. Spahn tha se qëllimi për Gjermaninë mbetet parandalimi i mbingarkesës së sistemit shëndetësor e jo shmangia e secilit infektim, shkruan The Guardian.

“Nuk mund të qëndrojmë në këtë izolim të fortë tërë dimrin. Nuk do ta toleronim mirë këtë si shoqëri. Ulja e shifrave në zero dhe mbajtja e tyre në atë nivel vjen me një kosto joproporcionale në fushat tjera të jetës”, tha ai.

Gjermania hyri në izolim të pjesshëm në nëntorin e vitit të kaluar, duke i mbyllur baret, restorantet, qendrat kulturore dhe sportive. Në mesin e dhjetorit u mbyllën edhe shkollat dhe dyqanet e produkteve joesenciale. Në janar më pas u ashpërsuan rregullat për përdorimin e maskave dhe punës nga shtëpia për shkak të frikës nga variantet e reja të virusit.

Numri i rasteve të reja të infektimeve dhe pacientëve në repartet e kujdesit intensiv ka rënë vazhdimisht që nga fillimi i vitit, trend që ministri Spahn e quajti inkurajues, shkruan The Guardian. Kancelarja Angela Merkel dhe udhëheqësit rajonalë të 16 shteteve gjermane do të takohen të mërkurën për të vendosur rreth afatit të masave kufizuese, sepse ato tash për tash janë paraparë të jenë në fuqi deri më 14 shkurt.

Baby Boo