Ministri Arbër Ademi hesht, dikush duhet të jep llogari për librat skandaloz


Fati i teksteve shkollore në vitin e ri shkollor ende është i paqartë. Ende nuk ka informacion se nxënësit a do të fillojnë vitin e ri shkollor me libra të përmirësuar, epo ende do punohet me tekstet skandaloze që janë prezent në arsim tani më një kohë të gjatë, shkruan Portalb.mk.

Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës kohë më parë thanë që është duke u punuar në ligjin e ri për përmirësimin e teksteve shkollore dhe se do të punësohet recensentë për t’i mënjanuar gabimet, por deri më tash nuk ka asnjë informacion lidhur me këtë.

Sa i përket ndryshimit të ligjit për literaturën shkollore dhe të mesme, kohë më parë për Portalb.mk, tani më ish zëdhënësi i MASH-it, Vlladimir Dellov tha se ende është duke u punuar në ligjin sa i përket literaturës në shkollat fillore dhe të mesme.

“Është duke u përgatitur ligj i ri për literaturën, procedurën e recensimit dhe lehtësimin e saj. Librat që janë me gabime do të mund të përmirësohen në një mënyrë më të lehtë si dhe do të vendoset për programet dhe librat me të cilat duhet të punohet”, tha për Portalb, Dellov.

Në ueb faqen e ministrisë ka vetëm konkurse për recensentë por jo edhe njoftimi se cilët janë angazhuar dhe se në cilat tekste do të punohet. Madje, MASH as nuk e jep listën e plotë të recenzentëve, që të japin llogari për lëshimet e tyre.

Redaksia Portalb disa herë kërkoj këtë informacion nga MASH, por nga ky institucion nuk përgjigjen, madje edhe vetë ministri i ri Arber Ademi nuk iu përgjigj pyetjes së Portalb, lidhur me këtë temë.

Ndërkaq deri sa ishte zëvendës ministër, Ademi tha se me ligjin e ri i cili u miratua në janar të 2018, hapet mundësia për përmirësimin e teksteve shkollore, deri më tani nuk ka asnjë informacion se sa deri më tani është punuar në këtë sferë.

“Në qoftë se konstatohet se në një tekst shkollor të miratuar ka nevojë për korrigjim ose plotësim të tekstit shkollor, nga aspekti profesional, nga aspekti metodologjik, teknik, por ç’është e rëndësishme edhe aspekti i përkthimit dhe i adaptimit, atëherë shërbimi pedagogjik do të kërkojë nga botuesit, respektivisht nga autorët që të bëjnë plotësime dhe korrigjim të tekstit shkollor”, tha Arbër Ademi, atëkohë zv/ministër i Arsimit dhe Shkencës.

Nxënësit shqiptarë në Maqedoni vazhdojnë të mësojnë me gabimet skandaloze që hasen në tekstet e tanishme shkollore, dhe që janë të natyrës së ndryshme, duke filluar nga gabimet gjuhësore, konceptuale e deri te fyerjet, shkruan Portalb.mk. Edhe pse tani më një kohë u nënshkrua Marrëveshja në fushën e arsimit mes MASH-it të Maqedonisë dhe Shqipërisë, e cila këtë vit skadon, ende nuk ka asgjë konkrete se si mund të ndihmojë Shqipëria, Maqedoninë për përmirësimin e teksteve skandaloze.

Mësimdhënësit, prindërit u ankuan shpesh herë për përmbajtjen, kualitetin si dhe mungesën e librave, mirëpo ankesa e tyre hasi në vesh të shurdhër për arsye se Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ende nuk ka ndërmarrë asgjë për asnjë nga ankesat e parashtruara.

Baby Boo