Ministrat e Jashtëm të BE-së nesër diskutojnë për luftën Rusi-Ukrainë dhe Ballkanin Perëndimor


Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian do të takohen nesër në Bruksel për të diskutuar për situatën e fundit në luftën Rusi-Ukrainë, efektet e luftës në Ballkanin Perëndimor dhe paketën e fundit të sanksioneve kundër Rusisë e cila përfshin edhe ndalesën e importeve të energjisë për të cilën deri më tani nuk është arritur dakordim.

Ballkani Perëndimor do të jetë tema e parë në tryezën e ministrave që do të takohen para samitit të liderëve të BE-së më 30-31 maj. Në kuadër të kësaj do të diskutohen çështje të tilla si siguria, investimet, zgjerimi dhe zhvillimi i marrëdhënieve me vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilave BE-ja u kushton rëndësi strategjike.

Një zyrtar i lartë i BE-së tha se pjesë e bisedimeve do të jetë edhe mbështetja që mund të jepet ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor për t’u përballur me efektet e agresionit të Rusisë në rajon. Ministrat më pas do të takohen në një drekë pune joformale me ministrat e Jashtëm të këtyre vendeve.

Në takimin pas drekës, ministrat do diskutojnë për luftën në Ukrainë dhe zhvillimet lidhur me të si dhe do të takohen me homologun e tyre ukrainas, Dmytro Kuleba. E pranishme në takim do të jetë edhe ministrja e Jashtme e Kanadasë, Melanie Joly. Zyrtari i BE-së tha se Kuleba do të informojë ministrat për situatën e fundit lidhur me luftën.

Pritet që në rend dite Kuleba të sjellë edhe çështjen e anëtarësimit të Ukrainës. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron i cili kryeson presidencën e radhës të BE-së, javën e kaluar vuri në dukje se anëtarësimi i Ukrainës mund të zgjasë për vite dhe në vend të kësaj ai propozoi formimin e “Komunitetit Politik Evropian” dhe që nën këtë çati të mblidhen Ukraina dhe shtetet që duan të anëtarësohen në BE.

Ministrat e Jashtëm, pavarësisht deklaratës së bërë më 4 maj nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pritet që të diskutojnë edhe paketën që përfshin edhe ndalimin e importit të energjisë nga Rusia për të cilën deri më tani nuk është arritur dakordim. Zyrtari i lartë tha se vazhdojnë negociatat lidhur me paketën e cila kundërshtohet nga vendet si Sllovakia, Çekia dhe kryesisht Hungaria për shkak të ndalesës së importit të energjisë.

Ai tha se ka dy mundësi për rezultatin dhe se do të arrihet dakordim mbi një plan që do të rezultojë ose me unitet ose me veprim të përbashkët, ose ku secili vend anëtar do të ndihet i qetë dhe me interesa të mbrojtura, por që do të mbrohet edhe angazhimi për ukrainasit. Zyrtari më tej vlerësoi se nuk ka një alternativë që paketa të ndahet në dy pjesë ku një pjesë e saj të pranohet dhe një pjesë jo.

Ministrat do të diskutojnë dhe për çështjet e tjera në agjendën e BE-së, përfshirë vizitat në Kili dhe Panama nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell si dhe mbështetjen financiare ndaj Palestinës./Anadolu Agency/

Baby Boo