Miliona euro borxh EVN-së edhe Ministritë


Ndërsa kriza ekonomike dhe energjetike në vend thellohet për çdo ditë, rritet edhe borxhi i institucioneve qeveritare. Për vetëm një vit, institucionet shtetërore, ndërmarrjet publike dhe ministritë janë zhytur në borxh për 35 milion euro tek EVN, për mos pagesë të energjisë elektrike. Nga EVN e konfirmojnë informacionin se borxhi i institucioneve në vend është mbi 35 milion euro, ku pjesa më e madhe e tij, rreth 20 milion janë gjeneruar vetëm 12 muajt e fundit. Por theksojnë se institucionet mund të kenë borxh edhe më të madh për mos pagesën e faturave për rrymë, tek furnizuesit tjerë me energji elektrike.

“Theksojmë që EVN nuk është furnizuesi i vetëm për energji elektrike në vend, sepse në Maqedoni ekziston tregu i hapur i energjisë elektrike, që nënkupton se ekzistojnë edhe furnizues të tjerë. Pra EVN furnizon vetëm një pjesë të institucioneve”, njoftojnë nga EVN Home.

EVN nuk jep detaje se cilat janë institucionet që kanë borxh më të madh ndaj saj, duke theksuar se duhet të mbroj të dhënat e klientëve. Por informatat flasin se 17 milion euro borxh kanë komunat, 10 milionë ministritë dhe 8 milion ndërmarrjet publike.

Jo zyrtarisht mësohet se ministria që ka borxh më të madh është Ministria e Shëndetësisë e cila ka rreth 7 milion euro borxh dhe 90% të këtij borxhi e ka Klinika “Nënë Tereza”. Tentuam të flasim me Ministrin Bekim Sali për të treguar shkaqet e borxhit, por nuk ishte i kapshëm. Prej institucioneve publike borxh më të madh ndaj EVN-së ka Hekurudhat e Maqedonisë të cilët duhet të paguajnë rreth 4 milion euro.

Nga Qeveria thonë se nuk kanë fatura të papaguara, ndërkaq institucionet e tjera thonë se duhet të mbajë përgjegjësi për vete.

“Institucionet për faturat e të cilave është i obliguar Shërbimi për punë të përgjithshme dhe të përbashkëta, nuk kanë borxhe të mbetura në këtë sferë dhe kanë furnizim të vazhdueshëm. Për institucionet e tjera, marrëveshjet për furnizim me energji nuk janë të centralizuara dhe secila mban përgjegjësi për vete”, thonë nga Qeveria.

Ndërkaq Teatrit Shqiptar i është kthyer energjia elektrike me kërkesë të Qeverisë, edhe pse nuk i ka shlyer plotësisht borxhet. Mes Institucioneve komunale me borxh më të madhe, respektivisht 1,6 milion euro ka kolektori dhe furnizuesi për ujë në Strugë dhe Ohër.

Pavarësisht borxhit të madh, furnizuesit elektrik nuk mund t’ua shkyçin furnizimin me energji elektrike institucioneve të caktuara. Kjo sipas rregullave për furnizim me energji elektrike, të cilat nuk lejojnë tu shkyçet energjia spitaleve, klinikave, institucioneve të posaçme shëndetësore si: pikave të ndihmës së shpejtë dhe për intervenim urgjent, enteve për transfuzionin e gjakut, qendrave të dializës. Po ashtu edhe objekteve për furnizim me ujë të vendbanimeve dhe stacioneve filtruese, aeroporteve, stacioneve hekurudhore dhe të autobusëve dhe stacioneve për sinjalizim në komunikacionin publik, stacioneve hidrometeorologjike dhe sizmologjike dhe çerdheve për fëmijë./Alsat.mk

Baby Boo