Milaim Zekës do t’i virefikohet pasuria që e ka deklaruar


Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) ka organizuar hedhjen e shortit për kontrollin e plotë të pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë.

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka është njëri nga zyrtarët që i ra shorti për verifikim të pasurisë.

Insajderi kishte raportuar se Zeka e ka fshehur banesën prej 100 metrash katrorë, duke mos e deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit. Pasiqë në formularin e deklarimit të pasurisë në AKK, deputeti Zeka nuk e ka paraqitur banesën të cilën e kishte blerë nga Naser Hoxha.

Zeka ishte bërë pronar i banesës prej 100 metra katrorë në qendër të Prishtinës pa paguar asnjë cent. Këtë banesë e kishte përvetësuar nga blerësi, Naser Hoxha, të cilin e ka mashtruar duke mos ia paguar 120 mijë euro të blerjes së banesës.

Pos kësaj, Zeka dyshohet se e ka kërcënuar vetë dhe i ka dërguar njerëz të armatosur Hoxhës në shtëpi, sa herë që ia ka kërkuar paratë e veta.

I ndodhur nën kërcënim dhe i dëmtuar financiarisht, Hoxha i kishte bërë kallëzim penal Zekës në Prokurorinë Speciale.

“Me 2 tetor 2012 (Milaim Zeka v.j.) lidh një kontratë për blerjen e banesës nga Naser Hoxha. Kontrata shkruhet dhe nënshkruhet në zyrën e avokatit Zamfir Kryeziu në Prishtinë. Objekt i kësaj kontrate ishte banesa në lagjen Tophane në Prishtinë në rrugën Mark Isaku T/3 me sipërfaqe 100 metra, kati i dhjetë me çmim prej 120 mijë eurosh. Nga kjo shumë blerësi duhet të paguante shumën e avansit prej 100 mijë eurosh, kurse shumën prej 20 mijë eurosh do ta paguante konform marrëveshjes në momentin e pranim-dorëzimit të çelësave”, sqarohej në kallëzim penal të cilin e kishte siguruar Insajderi.

Madje, siç thuhet në kallëzim penal, Zeka i kishte thënë që të mos ia kërkojë më ato para, në të kundërtën do ta pësojë keq.

“Në një rast kur janë takuar me Milaim Zekën dhe kanë kërkuar që të më paguaj të hollat për banesë, Milaimi më është përgjigjur: Mos i përmend ma ato para se përndryshe e lëshon Prishtinën”, shkruan më tej në kallëzimin penal.

Shteti ia sekuestroi Milaim Zekës tri banesa

Tri banesa në vlerë mbi 150 mijë euro ia ka sekuestruar shteti deputetit Milaim Zeka. Këto banesa në një prej komplekseve më ekskluzive në Prishtinë, dyshohet se janë blerë me para që kanë prejardhje prej krimit.

Paratë për blerjen e këtyre banesave kompleksin afarist-banesor Nartel Center në lagjen Lakrishte në Prishtinë, dyshohet se kanë prejardhje nga mashtrimi që Milaim Zeka dhe partneri i tij, Ilir Krasniqi u kanë bërë 920 kosovarëve me viza pune në Gjermani.

Sekuestrimi i banesave është bërë me vendim të Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Pagesat për këto tri banesa përputhen me kohën e hapjes dhe veprimtarisë së firmës “Ilir Krasniqi Milaim Zeka OP”, pronë e dy të dyshuarve.

Insajderi kishte siguruar të dhëna zyrtare të blerjes, pagesave dhe sekuestrimin që ka bërë shteti të këtyre tri banesave, që dyshohet se janë blerë më para të krimit.

Detajet e shitblerjes së banesave dhe pagesat për të janë zbuluar nga një dokument i kompanisë ENK & CO të siguruar nga Insajderi. Aty theksohet se Zeka ka paguar 153.901.00 euro brenda pesë muajsh.

Pagesat shkojnë nga 10 mijë deri në 23 mijë. Vetëm në muajin gusht të vitit 2016, Zeka kishte paguar 60 mijë euro.

Në dosje theksohet se më 23 dhjetor 2015, deputeti Zeka, kishte nënshkruar një parakontratë me kompaninë ENK & CO për blerjen e tri banesave në ndërtim e sipër: banesa 04-22 me sipërfaqe prej 111.80 metra katror në katin VII-të në bllokun B; banesa 05-23 me sipërfaqe prej 93.21 metra katror në katin e 7 – blloku B dhe banesa 01 – 43 me sipërfaqe prej 74. 81 metra katror në katin 11 – blloku B.

“Çmimi i përgjithshëm i kontratës për shitblerje të këtyre banesave është në vlerë prej 153.901.00 euro”, ka sqaruar kompania në shkresën zyrtare të dërguar nga Kompania, në Policinë e Kosovës.

Pagesat e blerjes së banesave janë kryer në xhirollogarinë e kompanisë ENK & CO në Raiffaisen Bank:

Më 1 gusht 2016, Zeka ka paguar 10.000 euro. Tri ditë më vonë, më 4 gusht ka paguar 10 mijë euro tjera. Me 15 gusht 2016 ka paguar po ashtu 10 mijë euro. Dy ditë më vonë – me 17 gusht ka paguar 10 mijë euro tjera. Me 24 gusht 2016, Zeka ka paguar edhe 10 mijë euro.

Me 2 shtator 2016 ka paguar 10 mijë euro. Me 10 shtator 2016, ka paguar 10 mijë euro. Me 6 tetor 2016 edhe 20 mijë euro. Me 2 nëntor 2016, Zeka ka paguar 20 mijë euro. Me 17 nëntor 2016, deputeti i NISMËS ka paguar 20 mijë euro dhe me 31 dhjetor 2016, ka paguar 23 mijë e 901 euro, duke përmbyllur pagesat e këtyre tri banesave.

Milaim Zeka dyshohet se mashtroi 920 kosovarë me viza punësimi në gjermani

920 kosovarë kishin provuar të emigrojnë në Gjermani me viza pune nëpërmjet një agjencie punësimi e cila në fakt ishte një skemë mashtrimi e deputetit Milaim Zeka dhe partnerit të tij, Ilir Krasniqi.

Aplikantët kanë paguar nga 50 euro deri në 3500 euro për një vizë pune. Por, në vend të punësimit janë gjendur brenda një skeme mashtrimi. Zeka po hetohet për krim të organizuar, mashtrim dhe shmangie nga tatimi.

Në aktvendimin e prokurorisë thuhet se ekziston dyshimi i arsyeshëm se që nga viti 2016 e deri në mars të vitit 2017, Milaim Zeka, Ilir Krasniqi dhe F. K. si grup i organizuar kriminal, i udhëhequr nga Ilir Krasniqi, kanë ndarë detyrat, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror.

“Fillimisht të pandehurit Ilir Krasniqi e Milaim Zeka me datë 02.02.2016, kanë regjistruar biznesin ‘Ilir Krasniqi e Milaim Zeka OP’, me numër biznesi 1284891, si agjenci punësimi…, kanë paraqitur fakte të rreme kinse për punësimin e qytetarëve të Kosovës në Gjermani”, thuhet në aktvendim.

“Përmes reklamave kanë joshur qytetarët që të aplikojnë në zyrat e tyre në lagjen ‘Pejton’ në Prishtinë, e që me këtë aktivitet kriminal është përfshirë edhe e pandehura Fexhrije Krasniq, për përgatitjen e dokumentacionit për punë në Gjermani, në biznesin e saj.., për rregullimin e kopshteve”, pretendon Prokuroria.

Prokurori saktëson se Milaim Zeka e Ilir Krasniqi, kanë mashtruar rreth 920 aplikues, duke u marrë shuma të caktuara parash.

Prokuroria ka arritur deri tash të vërtetojë se Zeka e Krasniqi kanë përfituar me anë të mashtrimit 249 mijë e 700 euro.

Me përfitimin e kundërligjshëm të kësaj shume parash, deputeti Milaim Zeka dyshohet se ka dëmtuar Republikën e Kosovës duke mos i paguar tatimin.

Ata kanë deklaruar në ATK zero qarkullim, ndërkohë që në zyrat e tyre merrnin para në dorë nga aplikuesit.

Si pasojë, i janë shmangur detyrimeve tatimore.

“Pas shqiptimit të gjithëmbarshëm të shkresave të lëndës…, si dhe listës së të dëmtuarve.., dëshmitarëve, ekziston dyshim i arsyeshëm se të pandehurit kanë vepruar si grup i organizuar kriminal me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror dhe mashtrim të personave të interesuar për punësim në Gjermani”, shkruan në vendimin e prokurorit për zgjerim hetimesh.

“Po ashtu duke mos i kryer obligimet tatimore ndaj shtetit të Kosovës, për transaksionet financiare të bëra në mënyrë fiktive, i janë shmangur dhe tatimit ndaj shtetit të Kosovës”.

Baby Boo