Mijëra lëndë gjyqësore të pazgjidhura në Maqedoninë e Veriut


Rreth 99.800 lëndë të pa zgjidhura gjyqësore në të gjitha gjykatat në vend dhe vetëm 8% besim në sistemin gjyqësor janë të dhëna shqetësuese tha ish-gjykatësja për të drejtat e njeriut, Margarita Caca- Nikollovska.

“Besimi prej 8% është diçka që më ka tronditur, më duhet ta pranoj. Duke pasur parasysh se gjithçka gjatë kësaj periudhe kohore kur besimi nuk ishte kaq i ulët, punohej shumë, shumë punë nga plani aksionar janë ndërmarrë, janë sjell si dokumente, megjithatë është e qartë se diçka në gjithë këtë sistem është problematike”, tha Margarita Caca-Nikollovska, ish gjykatëse për të drejtat e njeriut.
Nga shoqata “Juristët e rinj” thonë se fatkeqësisht besimi në sistemin gjyqësor ende nuk është në nivelin që duhet.

“Ka përmirësim, megjithatë ka ende shumë gjëra për të punuar sidomos në pjesën e përgjegjësisë dhe transparencës të gjykatësve dhe prokurorëve me të cilët mund të përmirësohet besimi në institucionet gjyqësore që për momentin ende nuk është në nivelin që duam të jetë”, theksoi Goce Koçevski, shoqata “Jursitët e rinj”.

Javë më parë ambasadorja e SHBA-vë në vend, Kejt Meri Bërns, para gjykatësve dhe prokurorëve tha se nuk është sekret informacioni që qytetarë nuk besojnë në sistemin e drejtësisë. Shtoi se është e nevojshme zbatimi i plotë i reformave.

“Njerëzit duhet të shohin dhe të ndjejnë se sistemi funksionon. Qytetarët duhet të sigurohen se çështja e tyre do të shqyrtohet nga gjykatat neutrale dhe të pavarura brenda një kohe të arsyeshme. Ky është një parim themelor në çdo demokraci të lirë dhe funksionale”, pohoi Kejt Meri Bërns, ambasadore e SHBA-së.
Po çfarë duhet bërë me gjykatës që zvarrisin lëndët dhe nuk i zgjidhin çështjet? Pavlina Cërvenkovska, kryetare e Këshillit Gjyqësor tha se kanë ndërmarrë një sërë aktivitetesh për zbatimin e reformave.

“Për secilin nga 34 gjykatat kemi emëruar koordinator i cili në nivel mujor merr raport nga çdo gjykatës se çka ka punuar, sa ka punuar, cilat lëndë i ka zgjidhur dhe cilat jo. Kjo është njëra nga masat që Këshillit gjyqësor i mundëson që nëpërmjet analizave dhe raporteve që i dorëzojnë koordinatorë në seancën e Këshillit gjyqësor që të merren masat kundër gjykatësve të cilët nuk veprojnë menjëherë”, theksoi Pavlina Cërvenkovska, kryetare e Këshillit Gjyqësor.

Nga Këshilli Gjyqësor ankohen edhe për mungesën e gjykatësve, duket shtuar se një numër i konsiderueshëm tashmë është pensionuar dhe vendi i tyre nuk është plotësuar. Edhe euroambasadori Dejvid Gir dje theksoi se është arritur përmirësim në sundimin e ligjit, por ende ka shumë punë për t’u bërë drejt një sistemin gjyqësor të pavarur dhe neutral.

Baby Boo