Mexhiti, Gashi e Kasami me kritika ndaj Talat Xhaferit


Izet Mexhiti nga Lëvizja Demokratike, Afrim Gashi nga Alternativa dhe Bilall Kasami nga Lëvizja Besa – pjesë e të ashtuquajturit “bllok opozitar”, kanë dalë me kritika ndaj kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, për siç thonë, se me ndërprerjen e seancës për ndryshimet kushtetuese, ia zgjati jetën “shumicës së brishtë”.

“Pasi që sot në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut u vendos në rend dite diskutimi për ndryshimet kushtetuese, edhe pas përfundimit të diskutimeve dhe shterjes së debatit, kryetari i Kuvendit, pa asnjë arsye formale, nuk e hodhi në votimin propozim-nevojën për hapjen e kushtetutës. Kjo la të nënkuptohet se shumica parlamentare dhe kjo qeveri e di epilogun e atij votimi dhe prandaj nuk ka dashur të ballafaqohen me mungesën e shumicës së nevojshme për ndryshime kushtetuese.
Duke e ditur se mungesa e numrit të 2/3-ve të deputetëve është edhe mungesë e legjitimitetit për të vazhduar qeverisjen, nuk mund të mos konstatojmë edhe një herë se kjo qeveri nuk e ka për dert që ta vonojë integrimin dhe mundësinë e hapjes së negociatave për BE kur bëhet fjalë për pushtetin e tyre personal. Në vend se ta hedhë në votim këtë pikë, që të dëshmohet shumica e nevojshme, kryetari i Kuvendit ia bëri edhe një shërbim kësaj shumice të brishtë, për t’ia zgjatur jetën edhe disa dite këtij pushteti, sa për të përfunduar edhe ndonjë transaksion financiar”, thonë nga “blloku opozitar”.

Ata kanë edhe një thirrje ndaj faktorit ndërkombëtar.

“Të gjendur në këtë situatë, kur në anën e pushtetit nuk ka mbetur palë e ndërgjegjshme për momentumin historik për vendin, ne u bëjmë thirrje aleatëve tanë strategjikë ndërkombëtarë, BE-së dhe SHBA-së, që t’ia bëjnë me dije kësaj qeverie se po i tejkalon të gjitha vijat e kuqe dhe se tashmë ajo është fajtore e vetme dhe e drejtpërdrejtë për mungesën e integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE”, qëndron më tej në kumtesën e “Bllokut opozitar”.

Baby Boo