Mësimi logjik, më efektiv sesa ai përmendësh


Mësimdhënësit vazhdojnë të shtynë nxënësit të mësojnë përmendesh mësimet nxënësit dhe jo t’i shtynë ata për të logjikuar dhe të mësojnë thelbësoren dhe ta kuptojnë atë që shkruajnë. Ekspertët bëjnë thirrje që të largohet kjo metodë e të mësuarit përmendesh dhe mësuesit të përdorin metoda të reja dhe moderne për t’i shtyrë nxënësit të mësojnë dhe ta kuptojnë atë që janë duke e lexuar dhe jo vetëm ta mbajnë përmendesh atë që e lexojnë.

Mësuesit kanë vërejtur që nga dita e parë në shkollë se nxënësit kanë probleme me vëmendjen, punën e pavarur, përqendrimin, komunikimin, kujtesën, këmbënguljen, rregullsinë, madje edhe detyrat e thjeshta. Sipas tyre, prindërit i kanë kushtuar shumë kohë që fëmijët e tyre të jenë të shkathët në pajisjet teknologjike.
Pedagogia Rabie Murati, ka deklaruar se të mësuarit është proces kompleks, ku protagonisti kryesor është nxënësi.

“Është ky një proces tepër sfidues dhe i vështirë. Kur flasim për këtë proces dallojmë dy lloje të të mësuarit, atë logjik dhe mekanik apo përmendësh. Këto dy lloje mësimesh e bëjnë të dallojnë në disa aspekte”, shtoi Murati. Sipas saj, nxënësit të cilët mësojnë përmendësh ndjehen të stresuar dhe të pasigurt në vetvete. Ajo tha se nëse i pyet ata, insistojnë të mos ndërhysh për asnjë moment derisa të mbarojnë së recituari mësimin, në moment që ndërhyn mësimdhënësi ata shtangen dhe bllokohen.

“Këta nxënës nuk janë të aftë të kycen në diskutim për të mbrojtur me argument mendimin e tyre. Kanë vështirësi të theksuara në kombinimin e fakteve. Nuk shfaqin aftësi hermenautike. Nxënësit të cilët mësojnë me logjikë, janë më të sigurt në vetvete, njohuritë që përftojnë i kanë më të qëndrueshme, janë të aftë të vendosin lidhje mes koncepte të mësuara më herët”, nënvizoi Murati. Ajo mes tjerash tha se këta nxënës kanë aftësi hermeneutike dhe fuqi imagjinative nuk ndjehen të stresuar nëse harrojnë ndonjë detal apo të dhënë.

“Mësimdhënia në shkollat tona duhet të orientohet dhe përqendrohet në disa aspekte apo mënyra të rëndësishme të realizimit të mësimit që atë ta bën më efektive edhe atë në: përsëritje të materialit (përsëritja të con në mjeshtëri); fokusimi në atë që duhet të mësohet; të analizohen dhe shtjellohet konteksti dhe detajet; lidhja mes të dhënave dhe informacioneve apo mësimeve të marra; që në fund të reflekton me aftësi dhe kompetenca profesionale për veprim dhe ndikim të mëtutjeshëm”, ka theksuar ajo.

Nga kjo, siç potencon Murati, të mësuarit me logjikë është ai lloj i mësimit të cilin duhet të realizohet në shkolla sepse ai dukshëm ka avantazh ndaj mësimit mekanik, dhe si i tillë e formëson nxënësin për veprim aktiv të mëtutjeshëm. Vetëm përmes mësimit me logjikë nxënësit do të tregojnë më shumë sukses në mësim, shkollimin e tyre, dhe jo vetëm”, përfundoi ajo.

Nga ana tjetër, psikologët kanë vërtetuar shkencërisht pasojat e përdorimit të pajisjeve teknologjike dhe ndjekja e mediave digjitale. Profesori i psikologjisë, Ivan Iviç, ka deklaruar se gjatë evolucionit njerëzit nuk kanë pasur përvojë me aq informacion sa kanë sot, kështu që truri i njeriut nuk ka mekanizma të lindur biologjikë për t’u marrë me të.

“Mediat digjitale kanë një sërë veçorish unike si mbingarkesa e informacionit, që do të thotë se të rinjtë në procesin e leximit digjital në një minutë ndeshen me shumë informacione. Pastaj ato media kanë teknologji ndërprerjeje dhe kjo do të thotë të kalosh vazhdimisht nga një informacion në tjetrin, nga teksti në tekst, nga teksti në audio ose video dhe kështu me radhe” tha psikologu Iviç. Sipas tij, pasojat e parë e një sjelljeje të tillë është se informacioni i marrë në këtë mënyrë humbet shpejt, sepse zgjat vetëm disa sekonda, pastaj kalohet në një të re.

Baby Boo