Mësimi i harruar me Llaskarcën!


Lëshimet e sistemit ndër vite kanë rezultuar me pasoja katastrofale në transportin publik të pasagjerëve, thonë ekspertët e kësaj fushe. Sipas tyre, duhet të ketë përgjegjësi morale për aksidentin e trafikut në autostradën “Struma” në Bullgari.
Një nga aksidentet më të mëdha rrugore në Evropë në vitet e fundit është vdekja e 46 personave në autobusin që u dogj i agjencisë turistike “Besa Trans”. Ndërsa para dy vite e gjysmë, 16 persona humbën jetën dhe 38 u plagosën rëndë në një aksident me autobus të agjencisë Durmo Tours në afërsi të fshatit Llaskarcë.

Këto dy aksidente të rënda në të cilën vdiqën më shumë se 60 persona nxorën në sipërfaqe dështimet në transportin publik si ato automjeteve me defekt, autobusëve pa licencë, dhe një lidhje midis kompanive transportuese dhe kompanive të inspektimit të automjeteve, apo kontrollimit të tyre. Aksidenti i fundit i trafikut në autostradën bullgare “Struma” shtron pyetjen nëse duhet të ketë përgjegjësi morale për aksidentin, por edhe për lëshimet sistematike në transportin e udhëtarëve.

PËRGJEGJËSI MORALE DUHET TË MBAJNË DISA PERSONA
Ish kryeshefi i MPB-së, Ljubomir Gjurçevski, thotë se përgjegjësi morale për këtë rast duhet të ketë në MPB, në Ministrinë e Transportit dhe Doganave. “Për përgjegjësi morale mendoj se ne si shtet kemi harruar se çfarë është përgjegjësi morale vite me radhë. Përndryshe, në një rast të këtillë duhej të mbanin përgjegjësi për arsye morale ministri i brendshëm, ndihmës drejtori për punë në trafik, drejtori i Byrosë për siguri publike, ministri për transport dhe lidhje, drejtori i Doganës, ndihmës ministri në Ministrinë për transport dhe lidhje i cili është kompetent për licencimin e transportit të pasagjerëve”, shtoi ish kryeshef i MPB-së.

Ndryshe, që nga mëvetësia e shtetit, dorëheqjet për shkak të përgjegjësisë morale janë të rralla në vendin tonë. Në vitin 1993, ministri i atëhershëm Antoni Peshev dha dorëheqjen pas rrëzimit të dy avionëve. Në vitin 2009, pasi një anije me turistë bullgarë u fundos në liqenin e Ohrit, ku humbën jetën 15 persona, ministri i atëhershëm i Transportit dhe Lidhjeve Mile Janakieski ofroi dorëheqjen për arsye morale, por Gruevski nuk e pranoi.

DOBËSITË E SISTEMIT NË TRANSPORTIN PUBLIK
Sipas Gjurçeskit, një nga arsyet e dobësive të sistemit është korrupsioni dhe dualizmi institucional, të cilat gërshetojnë kompetencat e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, si dhe inspektoratet përgjegjëse për mekanizmin e kontrollit të transportit të udhëtarëve. Gjurçeski thekson se në vendin tonë ka një lëshim serioz në nënshkrimin e kontratave të punës me vozitës të cilët janë në pension, e të cilëve u zvogëlohen reflekset, gjë që ndikon në gjendjen e tyre për të reaguar në kushte të vështira të komunikacionit apo gjatë natës.

Ndërsa profesori universitar, Bashkim Selmani thotë se deri sa këto raste tragjike nuk marrin epilog gjyqësorë, atëherë parashtrohet pyetja se a janë institucionet autorë të këtyre ngjarjeve. “Nëse bëjmë një kronologji që nga rrëzimi i aeroplanit të parë që ndodhi ku humbën jetën mbi 100 persona, rasti i Spitalit Modularë në Tetovë, i Durmo Turs, rasti i fundit në Bullgari, krejt këto janë ngjarje që nuk kanë pasur epilog gjyqësorë. Gjitha rastet që nuk kanë epilog gjyqësorë, ngrenë shumë dilema se vallë a janë edhe institucionet autorë të këtyre ngjarjeve? Nga momenti që nuk gjenden autorët, përgjegjësia bie mbi institucionet. Atëherë pse duhet të funksionojnë gjykatat, prokuroritë, taksat që ne ua japim atyre, pikërisht jepen për këtë rrol”, ka deklaruar për KOHA, Bashkim Selmani, ish gjykatës.

LEKSIONI I PAMËSUAR I LLASKARCËS
Leksioni i pamësuar nga aksidenti në Llaskarcë ka treguar se të gjitha institucionet përgjegjëse për transportin publik të pasagjerëve duhet t’i hetojnë çështjet për të eliminuar dobësitë sistematike, thonë ekspertët. Në shkurt të vitit 2019 në aksident trafiku të autobusit të kompanisë “Durmo Turs”, në fshatin Llaskarcë, 16 persona kanë vdekur, ndërsa 38 janë lënduar rëndë, por deri më tani nuk ka epilog gjyqësor, por as përgjegjësi për tragjedinë.

Ndërsa, në këtë aksident të fundit imponohet pyetja për lëshime në sistemin e organizimit të transportit publik të pasagjerëve në Maqedoninë e Veriut. Sipas Gjurçeskit, kjo tregon joefikasitetin e plotë të institucioneve shtetërore në zbatimin e ligjeve dhe procedurave të drejta për vërtetimin e krimit të kryer, gjegjësisht krimit në të cilin janë humbur jetët e njerëzve.

“Kjo u lë hapësirë këtyre kompanive të tjera që kryejnë transport publik të udhëtarëve dhe agjencive të udhëtimit të sillen në mënyrë të pakujdesshme dhe të marrin të drejtën që të mos veprojnë sipas detyrimeve të përcaktuara ligjore për t’u përmbushur. Tani, në këtë situatë, po flasim sërish për të njëjtat gjëra, për rregullësinë teknike, për kontrollin teknik të automjeteve, për elemente korruptive në institucionet shtetërore, e kam fjalën për Doganën dhe Policinë, për mosrespektimin e sistemit të licencimit të zbatuar nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve. Për lëshime dhe abuzime që tregojnë për vepra kriminale, si informacioni se në autobus transportoheshin lëndë piroteknike të paligjshme”, tha mes tjerash ish kryeshefi i policisë, Gjurçeski.

Sot është dita e tretë dhe e fundit e zisë në territorin e Maqedonisë së Veriut, e cila u shpall pas aksidentit tragjik me autobus në Bullgari, ku humbën jetën 46 persona dhe 7 të tjerë mbetën të lënduar.

Baby Boo