Mes Gylen dhe Erdogan, misteri dhe akuzat në zgjedhjen e kreut të myslimanëve shqiptarë


Zhvillime të papritura dhe shumë pikëpyetjengre gara për zgjedhjen e kreut të ri të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

 Edhe pse disa ditë përpara u krijua bindja se fituesi ishte i paracaktuar nga qeveria, duket se nuk rezultoi kështu. Kryetari i ri është Bujar Spahiu, myftiu i Elbasanit. Ai mori shumicën e votave, plot 59. Ylli Gurra 26 vota dhe Gramoz Blliku 2 Vota. Kanë marrë pjesë në votim 87 anëtarë.

Mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman për zgjedhjen e kryetarit të ri nisi paraditen e sotme tek Medreseja e Tiranës. Por pas mesazhit të parë të Bujar Spahiut si kryetar i ri KMSH-së, ka reaguar ashpër Ylli Gurra, myftiu i Tiranës i cili ishte një prej kandidatëve në garë. Ai që ishte projektuar nga mazhoranca si fitues, në mënyrë të veçantë nga miku i tij Taulant Balla dhe segmente të tjera qeveritare, është shprehur se i gjithë procesi ishte një farsë. Sipas Gurrës kryetari i ri i KMSH-së u imponua nga organizata okulte, duke përmendur këtu edhe gylenistët.

“Kryetari i KMSH nuk mund të zgjidhet nga organizma okultë. U imponua një titullar që nuk ka bërë asgjë në komunitet. Humbje të tëra pronësie. Ajo cka përmenda, organizëm okult, ata të cilët i kanë imponuar komunitetit mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve dhe disa myftinive dhe Shoqërisë Civile dje katapultuan titullarin. Kjo organizatë dihet publikisht. Gylenistët apo Kemalistët nuk janë pa ndikime në këtë rrjedhë ngjarje dhe të tilla katapultime në krerët myslimanë të këtij vendit. Komuniteti nuk është peng i askujt, as i ndonjë qeverie. Në ditët e ardhshme do të ketë zhvillime. Nuk kam arsye që të jap dorëheqjen nga pozicioni i myftiut të Tiranës. Unë jam shqiptar, jam mysliman, ushtari i askujt, as në Anadoll as në një vend. I shërbej vendit tim pa asnjë ndikim nga okultët”-tha Ylli Gurra, i akuzuar shpesh në publik si ‘ushtar i bindur’ i Taulant Ballës dhe Edi Ramës.

Nuk është ende e qartë se cilat janë zhvillimet që paralajmëron Ylli Gurra. Vetë kryetari i sapozgjdhur, Bujar Spahiu, tha se do të punojë për paqe dhe shpresë pasi për këto të dyja ka më shumë nevojë sot Shqipëria. Një ditë më parë u tërhoq befas nga gara kreu i deritanishëm i KMSH-së, Skënder Brucaj. Ndonëse ai e veshi largimin e tij me vizionin e një kleriku që i hap rrugë klerikëvë të rinj, në fakt Brucaj dyshohet se iku pas një presion permanent që atij i vinte nga Turqia. Presidenti Erdogan e akuzonte atë si njeri të Fetullah Gulen, si dhe vazhdimisht i ka kërkuar Edi Ramës të ndërhynte për ta mënjanuar Brucën nga drejtimi i KMSH-së.

Baby Boo