Mënyra e kthimit të TVSH-së qytetarëve mbetet mister


Ministria e financave ende nuk ka detaje se si do të zbatohet kthimi i 15% të TVSH-së për qytetarët. Masa pritet të fillojë pas 5 muajve. Kryeministri Zoran Zaev këtë fundjavë paralajmëroi se prej 1 korrikut të këtij viti, do të fillojë koncepti i ri për kthimin e TVSH-së, që u paralajmërua gjatë fushatës parazgjedhore. Sipas tij, për çdo faturë të dhënë fiskale, qytetarëve do t’u kthehet TVSH prej 15%. Sipas kryeministrit, kjo masë buxhetin e shtetit do ta kushtojë rreth 150 milionë euro në vit. Megjithatë, ministri i financave, Dragan Tevdovski sot në konferencë shtypi nuk shpalosi hollësira se si do të zbatohet kjo masë dhe si do të llogariten këto 15 %. Gjithashtu nuk dha përgjigje nëse do të kthehet 15 përqindëshi i shumës totale apo vetëm për vlerën e TVSH-së. Më saktë, nëse një produkt kushton 100 denarë pa TVSH, a do të kthehen 15% nga 118 denarë që do të thotë kthim prej 12,7 denarëve apo vetëm 15% nga 18 denarët, që është 2,7 denarë.

Për mua me rëndësi është që të zbatohet siç duhet. Duam të sigurohemi se nuk do të ketë rreziqe fiskale. Për momentin, punojmë rreth detajeve finale, kur do t’i kemi, do të prononcohemi në opinion – deklaroi Dragan Tevdovski, ministër i financave.

Sipas programit të Qeverisë së re, kthimi i TVSH-së për qytetarët pritej të fillojë kah mesi i vitit të kaluar, edhe atë si pilot- projekt në tre komuna. Por, i njëjti u anulua dhe kryeministri Zaev në fund të vitit të kaluar paralajmëroi se megjithatë masa në fjalë do të realizohet, por me koncept të ri që do të fillojë nga 1 korriku. Gjashtë muajt e parë, siç paralajmëroi atëherë kryeministri priten të jenë eksperimentale, që zyrtarisht të fillojë më 1 janar të vitit 2020. Konceptin që e paralajmëroi kryeministri nëntorin e kaluar, parashihte kartela të kufizuara deri në 30 mijë denarë ndërsa në gjashtë muajt e parë do t’u kthehen TVSH prej 15% vetëm shfrytëzuesve të asistencës sociale.

Baby Boo