Menduh Thaçi e sheh me skepticizëm shtrirjen e mundshme të Vetëvendosjes në Maqedoni

Kryetari i PDSH-së në Maqedoninë e Veriut, Menduh Thaçi ka komentuar shtrirjen e mundshme të Vetëvendosjes në Maqedoni.

Thaçi në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se është princip demokratikë që çdokush mund të bëjë organizim politikë.

Megjithatë ai ka thënë se Vetëvendosje duhet të ketë shumë kujdes nëse vendos të shtrihet edhe në Maqedoni.

“Nëse bëjmë organizime politike, mos t’iu japim argumente armiqve tanë që i kanë përdorur gjatë tërë historisë. Këta i kanë përdorë termat Shqipëri e Madhe”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Thaçi thotë se nëse shqiptarët shkojnë një hap më tej mund të mos mirëkuptohen nga ndërkombëtarët.

“Bashkësia ndërkombëtare mund të aplikojë sanksione ndaj Kosovës dhe Shqipërisë”.

Kryetari i PDSH-së thotë se marrëveshja Kosovë-Serbi testin më të madh do ta ketë në Maqedoni.

“Asociacioni me kompetenca ekzekutive për komunat me shumicë serbe do të jetë test për stabilitetin e Maqedonisë”, tha ndër të tjera Menduh Thaçi.