Menaxherët e “Jugohrom” , takim me zëvendëskryeministrin Angjushev. Në nëntor përfundon vendosja e filtrave


Menaxhmenti i “Jugohromit”, pas takimit me zëvendëskryeministrin për çështje ekonomike, Koço Angjushev, paralajmëron se në nëntor do të përfundojë vendosja e filtrave, me çka pritet të rifillojë me punë kombinati.
Drejtori, Vasko Skenderovski, tha se mungesa e mjeteve financiare ka qenë pengesë që ata mos të përfundojnë në kohë me vendosjen e filtrave. Vlera e filtrave të cilat duhen të vendoset është 4 milionë e 170 mijë euro, në të cilën menaxhmenti do të investojë 800 000 euro, ndërsa pjesa tjetër pritet të sigurohet me ndihmën e Qeverisë.
Skenderovski gjithashtu theksoi se në këtë moment kombinati po shënon humbje të madhe nga mospuna, por shpreson se “Jugohrom” do t’i mbajë të gjithë 70 të punësuarit dhe kjo shifër do të rritet.
“Mendoj se jemi shumë afër një zgjidhjeje e cila do të jetë në dobi edhe të fabrikës edhe të qytetarëve të Tetovës. Kemi pasur disa probleme të vogla financiare dhe për atë arsye kemi vonesë në ndërtimin e filtrave. Pas bisedës së sotme, mund të konstatoj se Qeveria do të angazhohet të ndihmojë në përshpejtimin e procesit të ndërtimit të filtrave. Nuk do të jepja tani detaje rreth asaj se në cilën pjesë do të jetë kjo ndihmë, por mendoj se tashmë është e sigurt se “Jugohromi” deri në fund të tetorit apo fillimit të nëntorit do të ketë filtra dhe do të fillojë punën me kondicion prodhues të atyre furrave ku do të vendosen filtrat, bëhet fjalë për furrat me numër 7 dhe 8”,- deklaroi drejtori i përgjithshëm i “Jugohromit”, Vasko Skenderovski.
Kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të “Jugohromit”, Bajram Aliti, tha se një pjesë e madhe e kërkesa të tyre janë plotësuar dhe shpreson se për një periudhë të shkurtë të ndërtohen filtrat dhe kombinati të rifillojë me punë.
“Qeveria mori një vendim që të na ndihmojë rreth atij problemi. Mendoj se me ndihmën e tyre “Jugohromi” definitivisht do ta zgjidhë atë problem dhe për shkurt kohë do të ndërtohen edhe filtrat për pastrim. Si sindikatë, qëllimi ynë është që punëtorët të kthehen në punë dhe shpresoj se për shkurt kohë do të realizohet edhe ky projekt”,- tha kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të “Jugohromit”, Bajram Aliti.
Nga kabineti i zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev, njoftojnë se Qeveria nëpërmjet instrumenteve të Bankës Maqedonase për Mbështetje dhe Zhvillim, do të bëjë përpjekje të sigurohen mjete në formë të huas për “Jugohromin”, pas çka do të vazhdojë projekti për ndërtimin e sistemit për pastrim, kombinati do të fillojë të punojë dhe punëtorët do të kthehen në punë dhe të marrin rroga.
Baby Boo