MEDIAT E HUAJA RAPORTOJNË PËR ZGJEDHJET NË MAQEDONI (VIDEO)


“Rezultatet e referendumit të Maqedonisë një tjetër fitore për Rusinë”, “Të dyja palët pretendojnë fitore në Maqedoni në votimin për ndryshimin e emrit”. Këto ishin disa nga titujt nëpër mediat botërore duke iu refereuar referendumit të djeshëm në Maqedoni. Kjo ngjarje ka zënë dukshëm vend në raportimin e mediave botërore, të cilët i referohen daljes së ulët edhe përkundër mbështetjes së lartë për anëtarësim në NATO dhe BE, marrëveshjes me Greqinë si dhe asaj se çfarë do të ndodh më tej.

The Guardian: Rezultatet e referendumit të Maqedonisë një tjetër fitore për Rusinë 
“Refuzimi i votuesve të Maqedonisë për të mbështetur një ndryshim në emrin e vendit të tyre duket, në shikim të parë, të jetë çështje e interesit thjesht lokal. Por rezultati i referendumit të së dielës do të shihet gjerësisht si një fitore e rëndësishme për Vladimir Putinin, një pengesë për BE dhe NATO dhe një tjetër shembull shqetësues i aftësisë dhe gatishmërisë së Rusisë për të ndikuar në procesin demokratik në vendet perëndimore“, shkruan The Guardian

Uashington Post, shkruan se Maqedonia dje është kthyer kah kriza politike, që kur referendumi për marrëveshjen që hap derën për anëtarësim në NATO dhe BE ka rënë për shkak të daljes së ulët, kështu e kanë rritur mundësinë që vendi të bllokohet nga këto klube perëndimore në vitet e ardhshme.

CNN në raportime ka transmetuar se ka pasur dalje të ulët në referendumin për ndryshimin e emrit, në kushte të një fushate me dezinformata.

“Edhe përskaj asaj se autoritetet vendosën pragun e daljes në 50 përqind, referendumi është konsultativ, që nënkupton se kryeministri Zoran Zaev mund ta aktivizojë procesin e ndryshimeve kushtetuese për riemërimin e Maqedonisë, pavarësisht rezultatit.”

New York Times, shkruan se të dyja palët thonë se kanë fituar në votimin në Maqedoni për ndryshimin e emrit. “Rezultatet e referendumit të së dielës në Maqedoni për ndryshimin e emrit të vendit nuk ishin aspak bindëse, duke i  udhëhequr të dyja palët të kërkojnë fitore.”- shkruan New York Times.

Agjencia shtetërore gjermane ka publikuar se Marrëveshja e Prespës është akoma aktuale edhe përkundër mossuksesit në referendum. Daljen e ulët disa e quajtën sulm politik ndaj Zaevit, i cili i ka dhënë referendumit shumë peshë politike.

Për agjencinë franceze AFP, votuesit e Maqedonisë e kanë mbështetur planin për riemërim të vendit, me qëllim që t’i vihet fundi problemit me Greqinë dhe të hapet rruga për anëtarësim në NATO dhe BE, pas çka Perëndimi e përshëndeti rezultatin, edhepse referendumi ishte i pasuksesshëm për shkak të daljes së ulët të votuesve.

Politiko Evropa: Autori Florian Eder, vlerëson se mosdalja paraqet rrezik për Marrëveshjen me Greqinë për emrin dhe thotë se porosia e atyre që kanë vendosur të bojkotojnë nuk është e qartë

Kush e di se çfarë kanë dashur të thonë ata që nuk kanë dalur të votojnë. Por, nëse Kuvendi vlerëson se mosarritja e cenzusit prej 50 përqind është ftesë të thuhet “jo”, atëherë pasojat janë mjaft të menjëhershme: bota do të vazhdojë t’i drejtohet vendit me shkurtesën dhe ajo as nuk do t’i bashkangjitet NATO-s së shpejti, e jo më të fillojë bisedimet me BE-në. Por “FYROM”-ët të lumtur do të vazhdohen të quhen “maqedonas”- shkruan Eder në komentin e tij.

Referendumi në Maqedoni ishte lajmi më i rëndësishëm në mediat greke.Me mbishktimet “Pjesmarrja është çelësi”, “Referendum për të dytë (Zaev- Cipras)”, “BE dhe SHBA dhanë gjithçka për ‘po’”, mediat greke e kanë analizuar atmosferën e referendumit në Maqedoni, ku ishte edhe lajmi më i rëndësishëm në opinionin grek. Edhe mediat e rajonit e ndoqën në mënyrë aktive referendumin me vlerësime në titujt e tyre se referendumi nuk e ka arritur cenzusin  e nevojshëm.

Baby Boo