“Prej sabahit dyert çelë i kem lanë”, thotë Asllan Sopaj, babai i Shemsedin Sopajt, që vdiq sot bashkë me gruan në aksidentin në Podujevë.
Mëngjesin e sotëm një çift nga Malisheva gjetën vdekjen në një fshat në Podujevë. Aty gjendeshin, sepse kishin kaluar kufirin në Merdare, – se vinin nga Sllovenia me veturë, – dhe ishin nisur drejt vendlindjes.
Prindërit vdiqën, ndërsa dy fëmijët e tyre, 3 dhe 5 vjeç, po trajtohen në QKUK. Babai i 36 vjecarit që vdiq sot ka hapur dyert e shtëpisë së tij për të pame. Tregon se si e mori lajmin e kobshëm.
“Prej orës 3, ata tjerët janë shku atje, unë kam ndejtë me ta, e s’më kanë kallxu. Dy, tha, janë shku [kanë vdekur] e kush është shku s’kallxojshin”, thotë Sopaj, rrëfimi i plotë i të cilit transmetohet sot në Frontal të T7.
Sopaj thotë se fillimisht atij iu tha se është bërë një ndeshje e vogël dhe nuk e dinte se ai aksident i kishte marrë jetën djalit dhe rejës së tij.
“Policia na dha lajmin, e Malisheves, dy parë dyer i kem çelur, në mëngjes, edhe ato poshtë edhe këto lart. Ata thanë një ndeshje e vogël u bë ashtu-kështu, pasta me kerr kam shku menjëherë”, thotë ai.
Babai tregon se i biri, Shemsedini, kishte shkuar jashtë vendit para 15 vitesh, në moshë të re. Tregon se gruaja e tij, që poashtu vdiq në aksident, ishte në Kosovë para një jave.
“Ai që 15 vjet është atje. I ri u shku që 15 vjet. Vjen me kerr vetë me fëmijë. Para një javë, i ka vdek nana të shoqes së tij”, tregonte ai. /Express/
Ekipi i T7 ka qëndruar sot Malishevë, te shtëpia e familjes së çiftit që humbi jetën tragjikisht. Storjen e plotë, ku kanë folur edhe familjarë të tjerë, mund ta ndiqni në Frontal, prej orës 17:00.