Më shumë shpenzojnë në udhëtime zyrtare në Shqipëri, sesa në Danimarkë


Drejtori i Zyrës për çështje juridike në Zyrën e Auditorit të Përgjithshëm, Safet Berisha, ka folur për keqpërdorimin e parasë publike nga institucionet që i mbikëqyrë kjo Zyrë.

Ai tha se Korniza ligjore aktuale për udhëtimet zyrtare në fuqi përdor një terminologji të paqartë juridike dhe nuk i përgjigjet statusit aktual politik të Kosovës.

Duke qenë se tarifa për një udhëtim zyrtar në Shqipëri është 209 euro, për Danimarkë 179 euro, për Bosnje e Hercegovinë 220 euro, Berisha tha se këtu qëndron problemi i kornizës së vjetërsuar ligjore e cila duhet të bëjë rivlerësimin e tarifave.

“Vet fakti se korniza ligjore për udhëtime zyrtare daton nga viti 2004, tregon se duhet të ndryshojë kjo kornizë sepse ka ndryshuar edhe kostoja e jetesës nëpër vende të ndryshme të botës. Është periudhë shumë e gjatë. Tarifat janë llogaritur nga Brukseli, siç është shembulli i Shqipërisë dhe për këtë arsye është tarifa është më e lartë në Shqipëri sesa në Danimarkë”, tha Berisha në KTV.

“Paqartësitë nisin nga definicioni ‘mëditje’. Një pjesë janë për akomodim, një pjesë për ushqim. Ka paqartësi bien ndesh me legjislacionin në fuqi. Duhet të specifikohet se kur duhet llogaritur si udhëtim zyrtar, e kur si udhëtim për trajnim të zhvillimit profesional”, u shpreh zyrtari i Zyrës së Auditorit.

Berisha tha se Auditori i Përgjithshëm i ka rekomanduar Qeverisë rishikimin e kornizës ligjore për udhëtimet zyrtare ku kanë kërkuar që të bëhet edhe definimi i saktë i udhëtimeve zyrtare brenda vendit.

Ai tha se ka raste kur janë përmbushur rekomandimet e Auditorit.

“Ka raste kur përmbushen rekomandimet tona, si për shembull në rastet e avanceve, raste kur mëditjet merren para udhëtimit zyrtar”, tha Berisha.

Sipas tij, akti i ri juridik nënligjor duhet të definojë çka nënkupton udhëtimi zyrtar, çka mëditja, dhe tha se Zyra e Auditorit të Përgjithshëm pret që paraja publike të menaxhohet sa më mirë.

Baby Boo