Me përfundimin e zgjedhjeve, punët ndërtimore mbeten përgjysmë


Aktivitetet e ndryshme ndërtimore që filluan thuajse në çdo fshat e qytet gjatë fushatës parazgjedhore, kanë mbetur përgjysmë. Banorët shprehen skeptik se këto projekte do të përmbyllen. Ka nisur të rikonstruohet edhe rruga “Hristofer Xhefaroviç” në lagjen Hasanbeg të Shkupit. Sipas banorëve, punimet që u zhvilluan gjatë fushatës qëllim të vetëm kishin të fitonin vota.

https://www.youtube.com/watch?v=TJysjcWM46c&feature=emb_title

“Kjo nuk shkon kështu, kjo është rrugë kryesore, këtu duhet me marrë masa dikush, me ardhë me na tregu qysh ka me qenë, ndonjë fotografi me na tregu ku ka me ardh asfalti. Është duke u bë një punë që nuk e kupton kurrkush se çka është duke u punuar”.
“Kryetari i komunës çdo herë vjen këtu para zgjedhjeve edhe e bën Milano Hasanbegun me premtime. Ata le ta dinë se ne me kaq nuk e lëmë, rrugën e kemi këtu dhe do ta bllokojmë edhe rrugën kryesore, tjetër zgjidhje nuk kemi, duhet ta mbrojmë interesin”.

Në fshatin Koliçan i poshtëm të Komunës së Studeniçanit, gjatë fushatës është dërguar material për ndërtimin e ujësjellësit që me dekada u mungon banorëve. Banorët thonë se materiali është sjell nga një parti politike.
“Shumë na kanë gënjyer, secili e di problemin e Koliçanit, kur vijnë na premtojnë ujësjellësin, por ato premtime janë kote”.

“Ato gypat aty kushtojnë 100 ose 200 euro, nuk kushtojnë shumë, edhe unë do u’a jap aq. Asnjëherë nuk bëjnë asgjë, çdo herë me gënjeshtra dhe mashtrime. Nuk do të bëhet asgjë, vetëm po na gënjejnë”.
Gjatë vizitës në këtë fshat, edhe kamera e Alsat xhiroi materialin ndërtimor të shpërndarë në disa pjesë të fshatit, madje edhe nëpër shtëpi private.
“Gjënë më të keqe që na bën në këtë fushatë është se e ndanë fshatin në katër anë. Dikujt i dhanë 100 metër zorrë për ujë, tjetrit 500 metër katror pllaka betoni, dikujt tjetër gjëra të tjera. Ne që jetojmë në mes, nuk ka gjasa të fitojmë as kanalizim e as ujë. Ne koronën që para 20 vitesh e kemi”.

Nga Komuna Gazi Babë ku edhe bën pjesë lagja e Hasanbegut nuk u përgjigjën për të sqaruar rreth aktiviteteve ndërtimore gjatë fushatës. Ndërkohë, nga Komuna e Studeniçanit mohuan të kenë dërguar material ndërtimi në fshatin Koliçan. Nga kjo komuna tha se tashmë kanë dorëzuar projektin për ndërtimin e ujësjellësit në Koliçan dhe i njejti pritet të miratohet nga institucionet përkatëse.

Baby Boo