Me fyerje mes vete, deputetët votuan Kodin për sjellje etike të tyre


Me fyerje dhe përplasje sot në kuvend u miratua Kodi për sjellje etike të deputetëve. Qëllimi i këtij kodi është pikërisht ndalimi i përdorimit të gjuhës së urrejtjes dhe respektimi i ndërsjelltë mes deputetëve. Debati u ashpërsua pasi deputeti i LSDM-së, Tomisllav Tuntev mohoi se kuvendi siç akuzoi Ilija Dimovski vetëm u bën amin ligjeve me procedurë të përshpejtuar. Tuntev gjithashtu tha se qeveria aktuale është më transparente dhe mban më shumë debate publike. Por një gjë të tillë e kundërshtuan deputetët e opozitës.

“Ju morët pjesë në këtë debat dhe së pari na quajtët “gënjeshtar” për një të vërtetë që juve shumë ju dhembi. Tani po ju citoj se ju neve deputetëve të opozitës na u drejtuat me fjalët ”çka po bëj un këtu me këta të çmendur”. Koleg i nderuar këtë Kod së pari lexojeni ju dhe shpresoj dhe ju rekomandoj që menjëherë të filloni ta zbatoni”, tha Abe Lleshkoska, deputete e VMRO-DPMNE-së.

Për akuzat në fjalë, menjëherë reagoi Tuntev i cili tha se për shumicën parlamentare është festë sjellja e këtij kodi.

“Ju sot kolege e nderuar po gënjeni, gënjyet edhe për mejlin dhe për atë se çfarë kam thënë dhe pikërisht për këtë gjë na nevojitet ky kod që të mos përsëritet gjuha e urrejtjes që është përdorur këtu dhe gjuha e frikës që bëri të ndodhin gjëra që nuk duhej të ndodhnin dhe për këtë shkak për mua dhe për shumicën parlamentare sjellja e këtij kodi është festë”, tha Tomisllav Tuntev, deputet i LSDM-së.

Kodi etik i sjelljes u miratua me 84 vota për, qëllimi i të cilit është ruajtja e dinjitetit të Kuvendit. Sipas tij, deputetët funksionin e tyre duhet ta kryejnë pa paragjykime duke iu përmbajtur vlerave themelore etike dhe standardeve dhe rregullave profesionale. Me këtë Kod, deputetëve ndër të tjera u ndalohet përdorimi i telefonave celularë dhe laptopëve gjatë seancave. Për mosrespektim të Kodit do të vendosë Komisioni për çështje të imunitetit i cili ka të drejtë të tërheqë vërejtje kur bëhet fjalë për shkelje më të vogla, ndërsa të bëjë paralajmërim publik për shkelje më të rënda, përcjell Fakte.

“Shpresoj se tani e tutje më nuk do të kemi mundësi të dëgjojmë debate të tilla, si ky sot për Kodin për sjellje etike”, u shpreh Talat Xhafer

Baby Boo