Me durimtarin vizionar!


Shkodran Tolaj

Për kryeprotagonistin e proceseve krysore në dy dekadat e fundit, ku spikasin luf*ta çlirimtare për barazi kombëtare dhe bet*ejat politike për avancim substancial të statusit të shqiptarëve, kisha dëgjuar e lexuar qysh herët, por nuk e kisha imagjinuar se do më jepej shansi të sprovohem si artist dhe të bëj atë që duhet bërë në momente vendimtare historike.
Në vitin 2010 kur pata fatin ta njoh nga afër liderin Ali Ahmeti, me të cilin më vonë u bëmë edhe miq, u krijua një lidhje shpirtërore dhe komunikim shumë i hapur dhe i sinqertë! Njohja me të nuk ishte thjeshtë një afinitet rasti, por një impuls kreativ për të shndërruar vizionin e tij kombëtar në vepra projekte konkrete.

Kështu lindën këngët “Shqipet e Uskanës”, “Nëna shqiptare”, “Kërçovari” dhe u bënë himne të bashkimit kombëtar, që burimin e kishin në gurrën e pashterrueshme patriotitike të Uskanës së lashtë.

Nga nëntori i vitit 2019 kur mu besua drejtimi i një institucioni me peshë kombëtare e kulturore siç është Ansambli Shtetëror i këngëve e valleve shqipe në RMV, vazhdimisht jam shoqëruar me porosinë e tij: “Unë jam i bindur dhe nuk dyshoj se ti dhe vetëm ti me punë do ti japësh shkëlqim institucionit por të lutem të jesh i drejtë dhe të trajtosh të barabartë të gjithë të punësuarit pavarësisht bindjeve partiake apo origjinës së tyre”. Kjo më ka bërë që ti përmbahem motos: “Punë, përkushim dhe sa më pak fjalë”.

Ndonëse nuk janë shumë muaj si drejtues në këtë institucion, sot flas si artist i cili beson në kauzën vizionare të një kryeprotagonisti markant që ka ditur gjithnjë në momentin e duhur të ofrojë opsionin e duhur për të drejtuar popullin në rrugëtimin e sigurt!

Epokat historike lindin rrallë liderë që kanë njëkohësisht edhe komponentën heroike brenda. Është fat i madh që në krye të proceseve tona kombëtare këtu në RMV ndodhet pikërisht lideri Ali Ahmeti që me heroizëm din t’u bëjë udhë vendimeve delikate por tepër largpamëse.
Edhe kësaj radhe unë besoj në vizionin e këtij durimtari të madh! Na takon neve që të bashkohemi për të bërë realitet çdo ëndërr!

Pse jo? Edhe kryeministrin e parë shqiptar në RMV!
Jam i bindur se shumë nga të luhatshmit e djeshëm që s’dinin nga të orientohen, sot e kanë më të lehtë të rreshtohen pranë ATIJ që ëndrrat i bën realitet. Sepse vetëm liderët e përmasave grandioze jetojnë për t’u ngulitur thellë në kujtesën e një populli me idetë e mëdha kombëtare.

Kryeministri i parë shqiptar në RMV është ideja e radhës e liderit Ali Ahmeti, ndaj kjo ide meriton përkrahje gjithpopullore, ashtu siç ndodhë pas një kushtrimi kombëtar kur tubohen të gjithë pa dallime ideologjike e partiake, nën flamurin e vetëm të triumfit kombëtar.
Drejt FITORES !

Baby Boo