“Mbyll portet, zgjidhet problemi i emigrantëve”! Indinjatë nga OJQ-të

Mbyll portet dhe zgjidhet problemi. Kjo nuk është aq e lehtë sa besojnë Italia dhe vendet e tjera mesdhetare. Refuzimi i anijeve të shpëtimit që të ankorojnë në portet evropiane ka shkaktuar indinjatë në radhët e organizatave jo qeveritare që ndihmojnë emigrantët.

Baby Boo

Politikanët italianë, francezë, spanjollë dhe maltezë vazhdojnë ndërkohë të debatojnë se kush duhet t’i pranojë njerëzit e shpëtuar nga anijet në rrezik mbytjeje në Detin Mesdhe.
Italia hoqi në janar 2018 dorë nga angazhimi i saj për të lejuar të gjithë refugjatët, azilkërkuesit ose emigrantët e “peshkuar” nga Deti Mesdhe në ujërat midis Italisë dhe Libisë.
Mandati i operacionit të ri të mbrojtjes së kufijve, Themis, i cili u publikua nga BE-ja në janar, nuk e parashikon më këtë detyrim. Ministri i ri i Brendshëm, Matteo Salvini, po e zbaton këtë politikë brutalisht.
Ai ka njoftuar se nuk do të lejojë më asnjë person në rrezik për t’u mbytur që të hyjnë në territorin italian. Njerëzit në bordin e anijeve të shpëtimit që pjesërisht financohen privatisht Salvini i quajti “mish” dhe “ngarkesë”. “Ne jemi zotër të shtëpisë sonë,” shkroi Savini në Twitter, duke kërcënuar se “kohët e mira për organizatat e refugjatëve” kanë mbaruar.
Deri tani marina italiane ka koordinuar të gjitha aksionet e shpëtimit të personave nga anijet në rrezik mbytjeje në Detin Mesdhe. Së bashku me misionet e BE-së “Themis” dhe “Sophia” marina italiane kanë shpëtuar më tepër se gjysmën e refugjatëve në Detin Mesdhe.
Ministri i Mbrojtjes, Danilo Toninelli, i cili është përgjegjës për marinën, i kundërshtoi deklaratat e Salvinit. Deri tani nuk ka pasur asnjë procedurë administrative për mbylljen e ndonjë porti, sikurse parashikohet në rast se në ndonjë anije ka të sëmurë me sëmundje infektive ose në raste rreziku terrorist.
Njohësit e të drejtës ndërkombëtare, thonë për DË se shtetet janë të detyruara të ofrojnë ndihmë për pasagjerët e anijeve në raste nevoje. Prandaj Italia, Malta, Franca dhe Spanja duhet t’i lejojnë në raste të tilla anijet që të ankorojnë në portet e tyre. Por se ç’ndodh më tej me pasagjerët, kjo nuk është e rregulluar me ligje ndërkombëtare.
Top Channel

Restorant Lumare